Lidhje

Banka Qendrore diskuton me shoqatën e bankave


Banka Qendrore diskuton me shoqatën e bankave
Banka Qendrore diskuton me shoqatën e bankave

Banka Qendrore e Shqipërisë nisi sot diskutimet me shoqatën e bankave për të thelluar bashkëpunimin përballë rrezikut të kredive problematike. Ekspertë të të dyja palëve shqyrtuan një paketë masash për të shmangur rreziqet afatshkurtra në sistemin bankar. Banka Qendrore dhe shoqata e bankave ranë dakord për pjesën dërrmuese të një pakete të re masash mbikëqyrëse të sistemit bankar për të shmangur kreditë e këqija dhe për të rritur sigurinë e këtij sistemi. Projekti i Bankës Qendrore parashikon shkëmbim të përditshëm informacioni, që i shërben asaj për të marrë vendime që shmangin rreziqet e kredisë dhe rreziqet sistemit bankar të vendit prej ekspozimeve të gjera.

Drejtori i departamentit të mbikëqyrjes, Indrit Banka, thotë se kjo është pjesë e një analize të thelluar në detaje që Banka e Shqipërisë kryen vazhdimisht. Sipas tij, mjedisi ekonomik është i qëndrueshëm, por ende po përballet me sfida edhe në afatshkurtër. “Kërkesa ka evidentuar dhe vazhdon të evidentojë shtrëngime të konsiderueshme. Pra, kreditimi duhet parë si një element që i ka të dyja krahët; edhe krahun e kërkesës edhe krahun e ofertës. Ne sot kemi diskutuar për të bërë krhun e ofertës më efiçent. Ndërkohë, i mbetet tregut dhe publikut të shohë pjesën e kërkesës” - tha zoti Banka.

Banka e Shqipërisë ka bërë bëri thirrje për të shmangur kreditë problematike në rritje. Banka Qendrore vlerësoi se sistemi financiar dhe bankar i vendit janë të qëndrueshëm, por sfida kryesore mbetet cilësia e kredive. Në një deklaratë të disa ditëve më parë, Banka vërejti se në sektorin bankar po përkeqësohet cilësia e kredisë, sepse kreditë me probleme u rritën në 12.2 për qind të totalit.

Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës së bankave, Gazmend Kadriu, tha pas takimit të sotëm se bankat e nivelit të dytë shprehën gadishmërinë të kreditojnë më shumë ekonominë e vendit, kundrejt sigurive më të mëdha nga banka qendrore. “Bankat do të fillojnë tani që të marrin më shumë funksionin e mbështetjes së kreditimit të ekonomisë, mbështetjes së zhvillimit ekonomik të gjithë vendit. Mirëpresim konkretizimin përfundimtar të bisedave për të gjitha detajet teknike të atyre masave që u diskutuan në parim sot në takim” - deklaroi zoti Kadriu.

Banka e Shqipërisë u bëri thirrje bankave të nivelit të dytë që të forcojnë mbikëqyrjen e cilësisë së kredive dhe të shtojnë fondet rezervë. Sipas saj, “bankat duhet të lokalizojnë sektorët dhe kredimarrësit e caktuar me probleme dhe nga ana tjetër, të zgjerojnë shumëllojshmërinë e portofolit të kredive”. Nga studimet e ekspertëve mbi rezistencën e sektorit bankar, doli se gjendja financiare e këtij sektori është e mirë dhe përballon një keqësim të mundshëm të situatës, ndonëse ndjeshmëria e saj ndaj rreziqeve është rritur.

XS
SM
MD
LG