Lidhje

David Kameron, njeriu dhe politikani; Rruga e tij drejt postit të kryeministrit

  • Zëri Amerikës

David Kameron, njeriu dhe politikani; Rruga e tij drejt postit të kryeministrit

David Kameron, njeriu dhe politikani; Rruga e tij drejt postit të kryeministrit

Kryeministri i ri britanik David Cameron është njeriu që udhëhoqi konservatorët në fushatën për të rimarrë pushtetin pas 13 vjetësh. Por përshtypjet për të janë nga më të ndryshmet. Ai është përpjekur shumë ta paraqesë veten si një udhëheqës vizionar me ide të reja dhe moderne, por prejardhja e tij nga klasa e pasur dhe shtresa e privilegjuar britanike e ka bërë gjithmonë objekt kritikash si njeri që nuk përfaqëson pikëpamjet dhe interesat e masës.

Është vështirë të krijosh një përshtypje të saktë për David Kameronin thjesht duke lexuar shtypin britanik. Një gazetë britanike publikoi një portret të tij me ngjyra blu e kuq, të ngjashme me portretin e Barak Obamës, me diçiturë fjalët “Shpresa Jonë e Vetme”. Një tjetër, publikoi një fotografi të tij nga vitet e rinisë, duke e portretizuar si një i ri i pasur, i shkolluar në Oksford.

Kameron është një britanik modern, i sofistikuar, i cili është përpjekur ta paraqesë veten si i përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe si një njeri i thjeshtë që shkon në punë me biçikletë.

Por ai është produkt i shkollës së mesme më elitare të Britanisë, Eton, dhe i Universitetit të Oksfordit dhe është martuar me të bijën e një aristokrati.

43-vjeçari David Kameron është kryeministri më i ri në afro 200 vjet – disa muaj më i ri se Toni Bler kur mori postin në vitin 1997.

Por mosha e re përbën një kontrast të madh me suksesin e tij politik në krye të konservatorëve, për t’i nxjerrë ata nga humbëtira ku përfunduan pas fitores dërrmuese të Toni Blerit 13 vjet më parë. Ai arriti ta zhvendoste boshtin ideologjik të partisë drejt qendrës duke mbështetur politika më gjithëpërfshirëse, tema në mbrojtje të mjedisit dhe një ndjenjë të përgjithshme sensibiliteti modern.

Ai ka rekrutuar më shumë gra dhe pakica, ka deklaruar hapur përkushtimin e tij për punën në shërbim të publikut dhe i ka nxjerrë konservatorët nga hija e Margaret Theçerit, udhëheqësja që polarizoi opinionin publik britanik gjatë qeverisjes së saj në vitet ’80.

Kameroni ka punuar prej vitesh për ngjitjen e tij politike. Fati ka luajtur një pjesë të rëndësishme në suksesin e tij, pasi ai u fut në politikë, në një kohë kur britanikët po lodheshin nga laburistët që mbanin pushtetin që në 1997 dhe kishin udhëhequr vendin në kohën e krizës më të rëndë ekonomike në disa dekada. Ai kishte punuar për disa vjet për Partinë Konservatore para se të bëhej anëtar i Parlamentit në vitin 2001. Në ato momente konservatorët ishin të mbërthyer në konflikte të brendshme lidhur me politikat më të mira në përgjigje të Toni Blerit. Ai filloi menjëherë të fliste për ndryshimin e tonit të partisë në përpjekje për të rritur bazën konservatore.

Kur udhëheqësi konservator Michael Howard dha dorëheqjen në vitin 2005, pas humbjes së tretë radhazi të partisë, Kameroni shfrytëzoi momentin dhe arriti të marrë në dorë udhëheqjen. Ai iu fut menjëherë punës, duke ndryshuar emblemën e partisë me një imazh më neutral të një peme të gjelbër në një sfond të bardhë. Ai filloi një fushatë agresive për të tërhequr të rinj të arsimuar nga raca e origjina të ndryshme për të zëvendësuar armatën e vjetër konservatore në Dhomën e Komuneve. Fushata zgjoi rezistencë dhe kritika të forta. Disa vunë në pikëpyetje ideologjinë e tij, duke rezultuar në një eksod anëtarësh për në Partinë e Pavarësisë, e cila kërkon tërheqjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Nga e majta e spektrit politik britanik dëgjoheshin komente skepticizmi, se ndryshimet ishin thjesht kozmetike dhe se konservatorët nuk mund të ndryshonin rrënjësisht. Ata vunë në shenjestër deklaratat e tij për mbrojtjen e mjedisit, dhe praktikën e tij për të shkuar në punë me biçikletë, ndërkohë që këpucët e zyrës ia sillte shoferi me makinë.

Por ajo që e veçon David Kameronin është aftësia e tij për të ruajtur gjakftohtësinë përballë provokimeve të tilla. Ajo u shfaq qartë gjatë fushatës zgjedhore në debatet me kryeministrin Brown. Këto përpjekje i dhanë David Kameronit dhe konservatorëve numrin më të madh të votave, por gjithsesi jo shumicën e nevojshme, duke e bërë të domosdoshëm koalicionin me liberal-demokratët e qendrës së majtë, një kombinim që pritet të sjellë plot peripeci në politikën britanike.

Zgjedhja e Kameronit 43-vjçar sjell në rezidencën e kryeministrit britanik një fytyrë të freskët, një çift të ri me dy fëmijë të vegjël ndërkohë që David dhe Samantha Cameron do të shtohen me një bebe në shtator.

XS
SM
MD
LG