Lidhje

Rritja ekonomike e Kinës tërheq vëmendjen mbi transportin

  • Stephanie Ho

Rritja ekonomike e Kinës tërheq vëmendjen mbi transportin

Rritja ekonomike e Kinës tërheq vëmendjen mbi transportin

Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës po shkakton disa probleme dhe ato po shfaqen gjithnjë e më shpesh në rrugët e qyteteve të mëdha. Bllokimi i trafikut kryeson ndër lajmet kryesore atje, duke shkaktuar vështirësi për një numër gjithnjë e më të madh kinezësh.

Kjo është pjesa e ditës me trafik të dendur në Pekin, kryeqyteti i vendit më të populluar në botë.

Pekini ka 4 milionë makina dhe çdo ditë i shtohen 2 mijë të reja.

Analisti i transportit pranë Bankës Botërore, Shomik Mendhiratta, thotë se gjendja e mirë e ekonomisë sjell ngritje në shitjen e automjeteve.

“Keni parë se Kina dhe Pekini kanë përjetuar rritje ekonomike mbi 10 për qind, që ka ngritur të ardhurat kombëtare për frymë në 4 mijë dollarë; vetëm në Pekin të ardhurat mund të jenë dy herë e gjysmë më shumë. Siç mund të parashikohej, me këtë shtim të të ardhurave dhe me rritje dyshifrore, po rritet edhe numri i automjeteve”.

Dy vjet më parë, Kina iu përgjigj krizës financiare botërore me një plan nxitjeje ekonomike që ndihmoi shpejtimin e projekteve për rrugë, ura e hekurudha të reja. Qeveria financoi hekurudha të reja për trena të shpejtë, përfshirë këtë linjë mes Shangait dhe Hangzhusë, që zvogëlon kohën e udhëtimin nga 2 orë në 40 minuta.

Një nga udhëtarët e parë ishte Zhou Caoying. Me ngazëllim, ajo tregon ekranin ku shfaqet shpejtësia 356 kilometra në orë.

“Ndjehem shumë krenare që Kina ka arritur deri këtu. Jam tejet krenare.”

Qeveria i reklamon hekurudhat si metodë trasnporti urban që është më e efektshme dhe më e pastër për mjedisin.

Ekonomisti nga Universiteti Tsinghua, Hu Angang, mbështet këtë pikëpamje.

“Për hekurudhat, do të investojmë 4 trilion juan (600 miliard dollarë) deri më 2015, për të ndërtuar linja të distancave të largëta për trena të shpejtë, për shembull, nga Pekini në Shangai. Tani, linja më e fundit është ajo nga Shangai në Hangzhu që përshkohet për 40 minuta kohë. Të gjitha këto janë projekte të sigurta dhe harxhojnë më pak energji.”

Por në qytete të mëdha si Pekini, specialisti Mendhiratta i Bankës Botërore thotë se do të ketë dëme ekonomike përderisa makinat përdoren më shumë se transporti publik.

“Për udhëtarin, tani është më e lehtë kur ngec në trafik sepse ka makinën me kondicioner dhe dëgjon Lady Gagan apo muzikën që i pëlqen. Por dëmet ndaj shoqërisë për shkak të vonesave që shkaktohen po rriten dhe me kalimin e kohës, kryesia e qytetit do ta kuptojë se kjo po e pengon prodhimtarinë”.

Duket se për këtë çështje, udhëheqësit kinezë janë të vetëdijshëm. Media kineze njofton se në planin e ardhshëm pesëvjeçar, shpenzimet e përcaktuara për hekurudhat do të rriten, ndërsa fondet për rrugët do të bien.

XS
SM
MD
LG