Lidhje

Sulmet në Francë nxjerrin në pah tensionet në shoqëritë evropiane

  • Zëri Amerikës

Sulmet në Francë ndaj një shkolle hebraike dhe ushtarakëve francezë ngjallën në fillim spekullime se ishte vepër e një ekstremisti të së djathtës radikale. Më pas policia qartësoi ishte përgjegjës një mysliman militant. Kronika e Zërit të Amerikës analizon se pse shumë ekspertë dyshuan në fillim për përfshirjen e krahut të djathtë dhe sesi ajo ideologji ka ndoshta një gërshetim të papritur me Islamizmin radikal.

Ishte një tronditje e tmerrshme për komunitetin hebraik të Francës jugperëndimore. Ndërsa nxënësit mbërrinin në shkollën hebraike të hënën në mëngjes, një person i armatosur u afrua me motoçikletë, hapi zjarr, vrau një rabin, djemtë e tij të vegjël dhe një vajzë të vogël.

Vetëm disa ditë pas dy vrasjeve të ushtarëve francezë me origjinë afrikabo-veriore dhe nga Karaibet, incidenti i bëri shumë njerëz të mendonin, përfshirë ekspertë se autori ishte një ekstremist i së djathtës radikale, që ishte kundër emigracionit dhe pakicave.

Ky lloj këndvështrimi ka fituar terren në Evropë në dekadat e fundit dhe disa nga këto qëndrime kanë depërtuar në politikën e disa vendeve, përfshirë Francën.

Por analistët vunë gjithashtu në dukje mundësinë se një formë radikalizmi në pamje të parë krejt e ndryshme, militantizmi islamik, mund të kishte qenë shkaku i sulmeve.

Është diçka që vuri re sociologu dhe eksperti i ekstremizmit Marat Shterin i Kolegjit King të Londrës.

“Mua më duket diçka e jashtëzakonshme që të dyja versionet konsideroheshin të mundshme, megjithëse teoria e së djathtës ekstreme tingëlloi edhe më e pranueshme në sytë e shumë njerëzve”.

Shumë spekulluan se toni i fushatës presidenciale franceze, me deklarata të ashpra për emigracionin dhe pakicat kishte kontribuar tek një klimë që nxiste dhunë.

Ndërsa shërbesat mortore nderonin të vdekurit, Marat Shterin tha se në fakt teoria e dhunës së të djathtës radikale nuk duhet të kishte fituar aq shumë terren, sepse pikëpamje të tilla kanë një platformë legjitime në Francë.

“Është krijuar një situatë shumë delikate ku sipas mendimit tim, dhuna e krahut të djathtë është më pak e mundur në Francë, por ekstremizmi i së djathtës radikale konsiderohet legjitim. Sipas meje, në vendet ku pikëpamjet e djathta ekstreme shprehen hapur, ka më pak gjasa që ato të shprehen përmes dhunës”.

Incidenti në shkollën hebraike ishte veçanërisht tronditës për shumë njerëz, kryesisht sepse tre nga viktimat ishin fëmijë. Por sulmi ishte pjesë e një vale sulmesh ndaj objekteve hebraike në Francë.

Matthew Goodwin i Universitetit të Nottinghamit.

“Një nga faktorët e çuditshëm dhe të pazakontë të anti-semitizmit është se e kapërcen përçarjen mes ekstremistëve politikë, si ata të së djathtës së skajshme, por edhe të islamistëve radikalë, të dhunshëm, që kanë veçanërisht pakënaqësi për çështje të lidhura me Lindjen e Mesme”.

Njeriu që akuzohet për vrasjet, vdiq në një shkëmbim zjkarri me policinë dje, në një apartament ku kishte qenë i rrethuar për 30 orë. Ai ishte Mohammed Merah, një qytetar francez me origjinë algjeriane që kishte thënë se ishte pasues i degës afrikano-veriore të al-Kaidës.

Autoritetet thonë se mesa duket ai vuri në shënjestër ushtarët si hakmarrje të aktiviteteve franceze në vende islamike, ndoshta duke zgjedhur të vriste ushtarë arabë, sepse i konsideronte tradhëtarë. Ata besojnë se ai mund të ketë shkuar në shkollën hebraike i zemëruar nga politikat izraelite.

Cilatdo qofshin motivet, veprimet e tij shkaktuan dhimbje të pamatë dhe solidaritet mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare në Francë dhe vende të tjera dhe reflektim për rrugët që një shoqëri e hapur mund të ndjekë për t’u mbrojtur nga ideologjitë militantiste, pavarësisht se ku e kanë burimin.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG