Lidhje

Ministrat e eurozonës miratojnë paketën për stabilizimin e euros


Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ranë dakort sot për një paketë rreth një trilion dollarëshe për të shmangur përhapjen e krizës dhe për të stabilizuar euron. Paketa nxiti rritjen e vlerës së aksioneve amerikane dhe evropiane pas humbjeve të javës së kaluar. Paketa e ndihmës prej 960 miliard dollarësh synon të shmangë përhapjen e krizës së borxhit grek dhe problemet financiare në ekonomitë të dobëta. Pjesa më e madhe e parave do të vijë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Udhëheqësit evropianë vazhduan negociatat në Bruksel deri në orët e para të mëngjesit të sotëm para se të arrinin një marrëveshje sipas së cilës qeveritë që përdorin euron do të vinin në dispozicion së bashku me BE-në dhe FMN-në 750 miliard euro kredi për të ndihmuar qeveritë me probleme financiare.

Ministrat e financave shpresojnë që masa të shmangë sulmet e tregut ndaj anëtarëve më të dobët të 16 vendeve të eurozonës.

“Kemi vendosur të krijojmë një paketë ndihme financiare, si mekanizëm stabilizimi financiar për Evropën,” tha Komisioneri Oli Rehn.

Sipas planit tre-vjeçar të ndihmës, komisioni evropian do të vërë në dispozicion 75 miliard dollarë, ndërsa 16 vendet e eurozonës premtuan të vënë në dispozicion 570 miliard dollarë. Përveç kësaj, FMN-ja do të kontribuojë me 318 miliard dollarë, siç njoftuan Ministrja spanjole e Financave dhe komisioneri i Bashkimit Evropian, Oli Ren sot.

“Kryesorja është se me këtë vendim, ne po investojmë në interes të stabilitetit në Evropë,” tha ministrja spanjolle Elena Salgado.

Në komentet e saj sot në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se qeveria e saj do të veprojë shpejt për të miratuar paketën e ndihmave për eurozonën.

“Kjo paketë shërben për të mbrojtur monedhën tonë të përbashkët. Është e para herë që një gjë e tillë ndodh në historinë e euros dhe Bashkimit Evropian.”

Përgjigja e ngadaltë e Evropës ndaj krizës duke e lënë Greqinë të shkonte në prag të falimentimit shkaktoi rënien e thellë të euros dhe aksioneve globale javën e kaluar dhe shtoi frikën se kriza mund të përhapej.

XS
SM
MD
LG