Lidhje

Facebook, aktualisht me 500 milionë përdorues


Facebook, aktualisht me 500 milionë përdorues
Facebook, aktualisht me 500 milionë përdorues

Çdo përdorues i faqes sociale elektronike Facebook ka mesatarisht 130 miq dhe shkëmben çdo muaj informacion me një vëllim elektronik prej 70 bit, përfshirë xhirime videosh apo fotografi. 500 milionë përdoruesit e Facebook-ut që shkruajnë në këtë faqe për gjendjen emocionale, pasionet, interesat, karrierën dhe jetën private, e kanë bërë Facebook-un më tepër se thjesht një faqe sociale elektronike. Ky është një fenomen global që po i jep formë mënyrës së komunikimit mes njerëzve:

Facebook-u ka 500 milionë përdorues – një shifër marramendëse për një planet me më pak se 7 miliardë banorë. Në fakt, nëse Facebook-u do të ishte shtet, do të renditej i treti nga popullata, pas Kinës dhe Indisë.

Kjo faqe që filloi si një hobi e Mark Zukerberg, kur ishte student në Universitetin Harvard, ka marrë përmasa marramendëse – duke u zgjeruar me 8 përdorues të rinj për secondë gjatë 15 muajve të fundit.

Facebook-u ka ndryshuar mënyrën si komunikojnë njerëzit, duke u dhënë mundësi miliona përdoruesve të tij të shkëmbejnë mendime dhe fotografi nga jeta personale me miqtë. Mark Zukerberg është Shefi Ekzekutiv i Facebook-ut:

“Njerëzit kanë krijuar lidhje reale, jo thjesht duke shkëmbyer informacion e të dhëna, por duke u bërë më të hapur me më shumë njerëz. Kjo normë sociale evolon me kalimin e viteve”.

Njerëzit shkruajnë për gjëra nga më të ndryshmet. Një jetë e tërë shpaloset në Facebook – që nga lindjet, diplomimet, martesat, biles edhe divorcet.

Disa ekspertë thonë se një vëllim i tillë informacioni ka edhe problemet e tij – përfshirë ndikimin negativ në shanset për punësim. Disa njerëz nuk shohin asgjë pozitive në këtë faqe. Për ta është thjesht një shenjë narsicizmi.

Pavarësisht nga kjo, mesatarisht një përdorues shkëmben informacion 70 herë në muaj. Kjo faqe që dikur ishte vetëm një destinacion elektronik për studentë është zgjeruar, thotë Michael Nelson. Ai punonte tek kompania IBM dhe aktualisht jep mësim në Universitetin Georgetown:

“Janë futur gjyshe, drejtues kompanish, politikanë. 60-vjeçarët janë grupi me rritjen më të shpejtë”.

Bonnie Speich viziton faqen një herë në javë:

“Aty gjej çdo minutë të jetës së nipit”.

Mike Aedenran e viziton rregullisht faqen:

“Futem në faqe rreth 5 herë në ditë, nga 5-10 minuta çdo herë”.

Por jo të gjithë e duan një komunitet përdoruesish në internet. Një prej tyre është Kevin Sampson:

“Është për të ardhur keq që njerëzit kënaqen me takime në internet, në vend të kontakteve reale me njerëz”.

Facebook-u është bërë aq popullor sa që nuk i ka shpëtuar nga vëmendja as politikanëve. Presidenti Barak Obama e përdori këtë faqe elektronike gjatë fushatës presidenciale në vitin 2008.

Edhe Papa Benedikti ka një faqe në Facebook, me informacion në 8 gjuhë.

Facebook-u ishte i pranishëm edhe në protestat anti-qeveritare në Iran:

“Për shumë iranianë, rreth 1 vit më parë, u bë një nga mjetet më të rëndësishme për të marrë lajme nga Irani. Pas zgjedhjeve, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve nuk lejoheshin të ndiqnin zhvillimet dhe faqja e parë ku mund të gjeje video nga Irani, apo të publikoje video ishte Facebook,” thotë një student nga Irani.

Informacioni mund të përhapet me shpejtësi me një klikim, thotë Nelson:

“Kemi këtë teknologji që lidh në komunikim komunitete të ndryshme. Të gjitha këto komunikime zhvillohen njëkohësisht, thuajse pa asnjë përpjekje”.

Ai thotë se e ardhmja e medias sociale është telefoni celular. Në treg do të ketë së shpejti më shumë telefona që do të lejojnë më shumë përdoruesve të kenë në çdo moment mundësi për të komunikuar përmes këtyre faqeve elektronike.

XS
SM
MD
LG