Lidhje

Hamburgeri karakteristik amerikan po kalon disa ndryshime

  • Mil Arcega

Hamburgeri karakteristik amerikan po kalon disa ndryshime

Hamburgeri karakteristik amerikan po kalon disa ndryshime

Hamburgeri, përherë në qendër të kuzhinës amerikane po përdoret gjithnjë e më shumë tani që konsumatorët preferojnë të zgjedhin ushqime më të lira në çmim. Në Las Vegas, hamburgerat e veçantë janë tani fjala e fundit. Shefat e guzhinave i shtojnë atij asortimente për t’i dhënë një shije ndryshe këtij ushqimi karakteristik amerikan.

Aq amerikan sa edhe ëmbëlsira me mollë – hamburgeri karakteristik po kalon disa ndryshime, pjesërisht falë recesionit më të thellë që nga vitet 30. Greg Cook është kryekuzhinier në restorantin BLT Mirazh në Las Vegas.

"Mendoj se kështu si është ekonomia tani, ka më shumë mundësi për të arritur fitime në një restorant hamburgerash sesa në një restorant më të sofistikuar. Njerëzit në përgjithësi mund të blejnë pa kokëçarje një hamburger“.

Restorantet kanë reaguar me shpejtësi për të realizuar fitime. Në restorantin Munch Bar, pronari Bryan Ogden thotë se kuzhinierët e tij e kanë kthyer sanduiçin e tipit fast food në menutë e restorantit.

“Përdorim mish të cilësisë së lartë. Është organik, pa hormone. Blejmë çdo ditë në tregun e fshatarëve ku zgjedhim përbërësit, sallatën jeshile dhe marulet. Cdo gjë e bëjmë vetë, që nga majoneza e deri tek shijet pikante. Gatimi kërkon punë dhe kuzhinierët tanë fillojnë përgatitjet herët në mëngjes për të patur çdo gjë të freskët."

Kuzhinieri Kerry Simon ka në pronësi KGB: Kerry’s Gourmet Burgers në Las Vegas. Ai është fituesi i një shfaqjeje televizive të titulluar Iron Chef dhe thotë se puna e tij për të realizuar hamburgerin e përsosur ka ndihmuar në zgjerimin e biznesit.

"Mora pjesë në këtë konkurs ku hamburgeri ishte një ndër gjellët kryesore. Kjo më bëri të filloja të eksperimentoja me lloje të tjera erëzash në restorantet e mij dhe kam marrë çmime për hamburgera në konkurse të tjera. Tani do të ndërtoj një bar hamburgerash."

Hamburgerat në restorante janë të formave dhe llojeve të ndryshme. Në vend të sallatës, konsumatorët mund të zgjedhin vezë, guakamoli, apo kërpudha. Kritiku i ushqimit, John Curtas thotë se llojshmëria është një nga pak gjërat pozitive që sjell klima e vështirë ekonomike.

"Nga recesioni, të gjithë fillojnë të kursejnë. Shumë restorante këtu kanë menu kafeneje, kanë pjata të zvogëluara që i reklamojnë përpara restorantit apo në bare, gjë që nuk e bënin pesë vjet më parë. Kemi parë kthimin në restorante të hamburgerave dhe të picave, të porcioneve të vogla dhe publiku po e pëlqen këtë prirje.”

Një anketë e fundit e firmës Technomic tregon se hamburgerat janë bërë më popullorë që nga rënia ekonomike. 90 përqind e të anketuarve thonë se hanë nga një hamburger të paktën një herë në muaj. Më shumë se 30 përqind thonë se u pëlqen të hanë nga një hamburger në javë. Ketchup-i është gjithmonë sipas dëshirës.

XS
SM
MD
LG