Lidhje

Izraelitët dhe palestinezët shfaqin shenja skepticizmi rreth perspektivës së paqes

  • Zëri Amerikës

Izraelitët dhe palestinezët shfaqën sot shenja skepticizmi rreth perspektivës së paqes mes tyre, një ditë pas fillimit në Uashington të bisedimeve të drejtpërdrejta mes dy palëve, të parat pas dy vjetëve. Banorët në të dy anët thonë se janë pesimistë rreth aftësisë dhe dëshirës së udhëheqësve të tyre për të arritur një kompromis.

Megjithëse disa izraelitë dhe palestinezë shfaqën një farë shprese për paqe, secila palë tha se nuk priste që pala tjetër t’i përmbushë detyrimet e saj në bisedime.

"Shtrëngimet e duarve janë gjithmonë të rëndësishme dhe shumë simbolike por rëndësi ka që secila palë të jetë e gatshme për të bërë sakrifica në emër të paqes së qendrueshme," thotë një qytetar izraelit.

Palestinezët kërkojnë t’i jepet fund ndërtimeve në vendbanimet hebraike të Bregut Perëndimor, madje Presidenti palestinez Mahmud Abas ka kërcënuar të tërhiqet nga bisedimet nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e vazhdon moratoriumin e pjesshëm për ndërtimet, i cili skadon në fund të muajit.

Zoti Abbas ka deklaruar se ndërtime të tilla janë vendimtare për kompromisin, sepse ato marrin tokë nga territori që palestinezët parashikojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.

Dje në Uashington, të dyja palët ranë dakord për një raund të ri bisedimesh që do të mbahet më 14 dhe 15 shtator me praninë e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton dhe të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell.

Ndërkohë, grupi militant islamik Hamas, i cili kontrollon Gazën dhe nuk është përfshirë në bisedime, i ka quajtur negociatat të paligjshme.

"Izraeli nuk i respekton marrëveshjet dhe të gjitha marrëveshjet që nga fillimi kanë qenë një dështim. Unë besoj se qysh me fillimin e tyre këto bisedime ishin të pasuksesshme dhe pa ndonjë rezultat," thotë Abu Khalib në Betlehem të Bregut Perëndimor.

Presidenti Abbas dhe Kryeministri Netanyahu janë shumë larg në qendrimet e tyre për çështjet ku për dekada me radhë nuk është arritur ndonjë zgjidhje, si kufijtë e një shteti të ri palestinez, fati i miliona refugjatëve palestinezë dhe çështja më e vështirë – pretendimet e secilës palë për qytetin e shenjtë të Jeruzalemit.

XS
SM
MD
LG