Lidhje

Presidenti i Jemenit fajëson rebelët për sulmin që e la të plagosur


Presidenti i Jemenit fajëson rebelët për sulmin që e la të plagosur
Presidenti i Jemenit fajëson rebelët për sulmin që e la të plagosur

Një regjistrim audio që thuhet se është bërë nga Presidenti i Jemenit Ali Abdullah Saleh është transmetuar nga televizioni shtetëror i vendit, disa orë pas një sulmi ndaj një xhamie në kompleksin e tij presidencial. Media shtetërore jemenase thotë se sulmi la të vrarë tre roje dhe një imam.

Zëri që i atribuohet Presidentit Saleh, u dëgjua përmes transmetimeve duke falenderuar bashkë-kombasit e tij jemenas për shqetësimin e tyre mbi gjendjen e tij. Ai i siguroi ata se ishte mirë:

Ai gjithashtu u uroi shërim të shpejtë personave të tjerë të plagosur gjatë sulmit dhe u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të të vrarëve. Presidenti Saleh u plagos nga një sulm me raketë ndaj xhamisë presidenciale në Sana, dje gjatë lutjeve të së premtes. Sipas njoftimeve, zoti Saleh po mjekohet në një spital ushtarak.

Sulmi, i pari i këtij lloji ndaj kompleksit presidencial, u krye gjatë luftimeve të ashpra mes trupave qeveritare dhe forcave fisnore në kryeqytet dhe ndërkohë që vazhdon dhuna në qytete të tjera jemenase, duke i sjellë trazirat në zemër të qeverisë.

Pak pas sulmit, zyrtarët thanë se zoti Saleh do të merrte pjesë në një konferencë për shtyp, siç duket për t’iu kundërvënë njoftimeve të medias dhe disa komenteve të opozitës se presidenti ishte plagosur rëndë ose mund të kishte vdekur.

Zëvendës Ministri i Informacionit Abduh al-Xhanadi doli në televizion për të shpjeguar vonesën:

Zoti Xhanadi tha se Presidenti Saleh është mirë me shëndet dhe konferenca për shtyp ishte shtyrë për më vonë për arsye të gërvishtjeve që kishte pësuar Presidenti. Deklarata e tij binte në kundërshtim me komentet e një diplomati jemenas që bëri komente në televizionin Arabiya, i cili tha se zoti Saleh ishte në rreshtin e parë në xhami, ku ishin regjistruar dëmtimet më të rënda dhe mund të qëndrojë në spital për katër javë. Nuk ishte e qartë se cila daklaratë përputhej më mirë me gjendjen reale. Zyrtarët fajësuan për sulmin forcat besnike të klanit al-Ahmar, i cili po përleshet prej dy javësh me forcat qeveritare në kryeqytet. Por nuk ka pasur deklarata zyrtare për marrjen e përgjegjësisë.

Po dje, më herët, trupat qeveritare kishin sulmuar shtëpitë e anëtarëve të klanit al-Ahmar si dhe të një oficeri të opozitës. Një zyrtar qeveritar shprehu mendimin se sulmi ndaj kompleksit qeveritar ishte ndërmarrë në hakmarrje. Forcat besnike të udhëheqësit fisnor Sadek al-Ahmar po shtohen në numër duke marrë përforcime nga zona të tjera. Sheiku, i cili kryeson federatën fisnore Hashid, ka bërë thirrje për dorëheqjen e presidentit Saleh. Por presidenti ka kundërshtuar tre herë një plan të paraqitur me ndërmjetësimin e fuqive rajonale për transferimin e pushtetit. Dhuna vazhdon edhe në Taiz, kundër protestueve politikë dhe në Zinxhibar kundër militantëve islamistë të cilët kanë marrë nën kontroll qytetin.

Forcat fisnore dhe islamiste si dhe oficerët e lartë që kanë dezertuar nga ushtria po i shndërrojnë protestat paqësore politike në një konflikt që po merr përmasat e një lufte të përgjithshme civile.

XS
SM
MD
LG