Lidhje

Shkencëtarët mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike tek kulturat bujqësore


Shkencëtarët mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike tek kulturat bujqësore
Shkencëtarët mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike tek kulturat bujqësore

Një institut ndërkombëtar kërkimesh bujqësore në Kali të Kolumbisë po merret me një studim për ndikimin e ndryshimeve klimatike në të mbjellat nëpër botë. Studimi i Qendrës Ndërkombëtare të Bujqësisë Tropikale do të publikohet më vonë këtë vit.

Për breza me radhë, këto zona të pasura malore të Kolumbisë kanë prodhuar varietete të ndryshme fasulesh, panxhari dhe natyrisht kafeje. Por fermerët vendas të kafesë thonë se moti po ndryshon dhe bashkë me të edhe rendimenti i prodhimeve bujqësore. Karmen Eneida Truhijo është e shqetësuar.

"Shiko, këtu nuk ka shumë lule kafeje, kjo është shenjë se moti po i dëmton të mbjellat”.

Eneida thotë se deri disa vjet më parë, ky plantacion ishte i mbushur me lule të bardha në shtator, gjë që paralajmëronte prodhime të mbara. I shoqi, Elias Klaros, thotë se ata po shikojnë mundësinë e kultivimit të bimëve të tjera.

"Mendoj se nuk do të jemi në gjendje të mbjellim kafe këtu për shumë kohë”.

Më shumë se një milion banorë në Kolumbi kultivojnë dhe prodhojnë kafe, një bimë e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike. Ata po ndeshen tani pikërisht me atë që kishte parashikuar prej kohësh Qendra Ndërkomëbtare për Bujqësinë Tropikale në Kali, se ndryshimet klimatike po sjellin ndryshime edhe për bujqësinë. Andi Zharvis është menazher i programit të ndryshimeve klimatike dhe normativave të kësaj qendre.


"Esencialisht, gjeografia e bujqësisë ka të ngjarë të ndryshojë ndjeshëm, një bimë që mund ta kultivosh sot, mund ta mos e kultivosh në të njejtën zonë në të ardhmen. Në rajonet e nxehta, drithërat po zhvendosen drejt veriut. Në Kolumbi ato po zhvendosen në zonat më të larta malore”.

Qendra Ndërkomëbtare për Bujqësinë Tropikale po bën studime për ndikimin e ndryshimeve klimatike ndaj 50 bimëve kryesore të botës, përfshirë orizin, misrin dhe drithërat. Jarvis thotë se në çdo rajon to botës klima po ndryshon, nga ngritja e theksuar e temperaturave ose thatësira, në temperatura të ulta dhe përmbytje. Karlos Arturo Truhijo është marrë me bujqësi gjatë gjithë jetës së tij.

"Në të kaluarën, bambutë do të kultivoheshin me vështirësi në lartësitë 2000 metra, por tani rriten dhe përshtaten mirë në lartësitë e mëdha”.

Disa shkencëtarë janë shumë të shqetësuar për sigurimin e ushqimeve, veçanërisht për të varfërit. Erik Fernandes është këshilltar për ndryshimet klimatike dhe menaxhimin e burimeve natyrore në Bankën Botërore.

"Ne po shikojmë se prodhuesit e mëdhenj po u përshtaten më mirë dhe më shpejt të papriturave se sa ata të vegjlit. Prodhuesit e vegjël janë më të rrezikuar sepse ata kanë më pak qasje tek njohuritë dhe informacioni në kohën dhe vendin e duhur”.

XS
SM
MD
LG