Lidhje

Nju Orlins, ende me pasojat e uraganit shkatërrimtar Katrina


Nju Orlins, ende me pasojat e uraganit shkatërrimtar Katrina
Nju Orlins, ende me pasojat e uraganit shkatërrimtar Katrina

Pesë vjet më parë Uragani Katrina goditi brigjet e Gjirit të Meksikës dhe shkaktoi përmbytje massive në Nju Orlins, kur pritat u çanë dhe nuk arritën të mbronin lagjet që shtriheshin në pjesën më të ulët të qytetit. Para Katrinës, Nju Orlins kishte rreth 500 mijë banorë. 5 vjet më pas rreth një e treta e kësaj popullsie ende i mungon qytetit. Një pjesë e konsiderueshme e traditës unike të qytetit është rigjallëruar, por qyteti ende po përpiqet të kapërcejë plotësisht pasojat e uraganit shkatërrimtar:

Qindra vetë ishin mbledhur kohët e fundit këtu për të ndjekur prezantimin e dokumentarit të ri të regjisorit Spike Lee “Nëse do Zoti e përroi nuk del nga shtrati”. Dokumentari është një vazhdim i realizimit tjetër të regjisorit me titull “Kur u çanë pritat”. Një nga banorët e zhvendosur të Nju Orlinsit, Phyllis Montana-LeBlanc, flet në të dy filmat:

"Kemi bërë përparim në disa fusha, por në shumë të tjera ka ende mangësi, ende ka nevoja. Në lagjen time në pjesën lindore të qytetit, ende nuk kemi spital, pesë vjet pas Katrinës."

Kryetari i ri i Bashkisë së qytetit, Mitch Landrieu pohon se ka shumë probleme, por thotë se qyteti po përjeton një ringjallje të fuqishme:

"Ajo që njerëzit duhet ta kenë të qartë për këtë qytet, është se ne ende qëndrojmë të fortë dhe ende jemi këtu. Ne qëndrojmë të paepur dhe pikërisht ky shpirt triumfues i banorëve është ajo që do të ndjehet për një kohë të gjatë”.

Biznesi ecën shumë mirë në Lagjen Franceze dhe në pika të tjera me interes për turistët. Problemet me derdhjen e naftës në Gjirin e Meksikës shkaktuan një rënie të përkohshme në frekuentimin e restoranteve, por inspektorët qeveritarë thonë se ushqimet e detit nga Gjiri nuk paraqesin problem për shëndetin.

Në Zyrën e qytetit për Konferenca dhe Vizitorë, Kelly Shulz thotë se Nju Orlins po ecën mirë drejt objektivit për të pasur të njëjtin vëllim turistësh si para uraganit:

"Ky vit ka qenë fantastik. Kur ndodhi incidenti me naftën donim të ruanim këto ritme fantastike, këtë inerci. Prandaj, duke qenë se në Nju Orlins nuk ka pasur depozitim nafte nga derdhja, kemi punuar shumë që të hapim fjalën se të gjitha ato që ofron Nju Orlins për turistët, janë të paprekura nga nafta”.

Andrew Engolio, pronar restoranti dhe tregtar i një salce pikante për marinim thotë se ka vënë re një rigjallërim të dukshëm:

"Mendoj se në Lagjen Franceze biznesi është me të vërtetë i fortë. Mensoj se tani është edhe më mirë se para Katrinës. Falenderojmë të gjithë ata që vijnë në qytetin tonë, të gjithë turistët, pasi na kanë ndihmuar shumë”.

Autoritetet bashkiake thonë se pas Katrinës, Nju Orlinsi vazhdon të mbështetet tek një numër aktivitetesh të tjera të fuqishme, përveç turizmit, përfshirë portin e rëndësishëm dhe industrinë e naftës e gazit.

Por ka edhe pjesë të qytetit ku rimëkëmbja ka ecur shumë ngadalë, ku ende shihen pllaka të mëdha betoni në traulle ku dikur kishte shtëpi banimi.

Në rajonin e nëntë, ku dikur jetonin kryesisht familje afrikano-amerikane me të ardhura të mesme, shkatërrimi i Katrinës është i dukshëm. Dolores Wells and i biri po përpiqen të rindërtojnë dhe mbrojnë këtë shtëpi, por nuk e kanë të lehtë nga bandat kriminale. Kohët e fundit, dikush kishte hyrë në shtëpi dhe u kishte vjedhur telat elektrikë. Tani ajo pyet se si mund të kthehen më banorët këtu:

"Njerëzit nuk kthehen për të njëjtën arsye që unë dua të ik – korrupsioni në qeveri, krimi i rrugëve dhe droga”.

Një anketë e kohëve të fundit tregon se krimi është shqetësimi numër një për pjesën më të madhe të banorëve dhe shumë zona janë ende të braktisura. Fonde qeveritare dhe private janë gjeneruar për projekte ndërtimi për zonën, si për shembull për shtëpi rezistente ndaj përmbytjeve. Por Dolores Wells thotë vonesat nga burokracia kanë penguar planet e saj për të rinovuar disa shtëpi të lagjes për t’i dhënë me qera, pasi ajo dhe i biri investuan në to me paratë e tyre:

"Nxora para nga fondi i pensionit, megjithëse nuk më leverdiste. Menduam se mund t’i jepnim shtëpitë me qera dhe të siguronim një të ardhur. Por tani jam shumë e zhgënjyer”.

Pesë vjet pas Uraganit Katrina, Nju Orlinsi paraqet një panoramë të përzier, nga njëra anë me ritme të forta rimëkëmbjeje dhe nga ana tjetër me histori të dhimbsura dështimesh.

XS
SM
MD
LG