Lidhje

Pheniani kërcënon një "luftë të shenjtë" kundër SHBA e Koresë së Jugut


Komisioni i Mbrojtjes Kombëtare i Koresë së Veriut kërcënoi sot se do të ndërmarrë një "luftë të shenjtë" kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, nëse këto dy vende nuk ndryshojnë planet për manovra detare, që fillojnë nesër në Detin e Japonisë.

Pheniani tha se do t’u përgjigjet manovrave detare, duke u bazuar në politikën e tij "të dekurajimit bërthamor". Koreja e Veriut vazhdimisht bën kërcënime të ngjashme kur Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit P.J. Crowley tha se Shtetet e Bashkuara presin më pak fjalë provokative dhe më shumë veprime konstruktive nga Koreja e Veriut.

Në Vietnam, ku po zhvillohet forumi i ASEAN-it, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha se Koreja e Veriut ka një regjim "të izoluar dhe konfrontues", që angazhohet në një "fushatë idesh provokuese dhe të rrezikshme". Po këtë javë, sekretarja Klinton njoftoi sanksione të tjera ekonomike kundër Phenianit.

Zëdhënësi koreano-verior, Ri Tong Il, i cilësoi manovrat e planifikuara si një kërcënim ndaj sovranitetit të vendit të tij.

XS
SM
MD
LG