Lidhje

Kosovë: Seancë e jashtëzakonshme e parlamentit mbi situatën në Mitrovicë


Parlamenti i Kosovës u mblodh sot në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe. Seanca u mbajt pak ditë pasi Parlamenti refuzoi një kërkesë të lëvizjes Vetëvendosje për një kërkesë të tillë, pas zhvillime të fundit në veriun e Mitrovicës.

Tensionet edhe ashtu të larta u shtuan pas incidentit të tetë prillit kur një shqiptar humbi jetën nga pasojat e një shpërthimi në një lagje me popullatë të përzier në veriun e Mitrovicës. Autoritetet e sigurisë thonë se gjendja aktuale në Mitrovicë është më e qetë dhe janë shtuar patrullimet e policisë dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s në zonat e banuara me popullatë të përzier në veriun e këtij qyteti.

Situata atje ka nxitur debate në Prishtinë ku opozita po i bën thirrje qeverisë të ndërmarr vendime të vendosura.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se nuk janë qytetarët ata që duhet të mbrojnë veten e tyre, familjet e tyre as në veri e as në pjesë të tjera të vendit, ky është obligim i institucioneve tona të sigurisë veçmas të policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare siç është EULEX-i dhe KFOR-i, por sigurisht kjo nuk bëhet me dy policë dhe një kontejner në raste të tilla, dhe të mund të viktimizojmë edhe policët tanë dhe asgjë më tepër”, tha Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Tash e katër vite e gjysmë të drejtimit të qeverisë nga ai (kryeministri Thaçi) strukturat ilegale të Serbisë janë toleruar vazhdimisht të veprojnë, terrorizojnë, vranë, dhunojnë e plaçkitin çdo gjë shtetërore, publike e private në atë pjesë të vendit. Njëlloj si në kohën e qeverive të mëparshme. Tash e katër vite e gjysmë kjo qeveri e ka përkeqësuar çdo gjë në të cilën ka prekur, por edhe në ato aspekte ku ajo nuk ka vepruar fare. E tash deputetët e saj na thërrasin në seancë për ta zëvendësuar kështu mungesën e veprimeve qeveritare e institucionale atje”, tha Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje.

“Akuzimi i Serbisë për problemet në territorin tonë është në mënyrë indirekte pranim i paaftësisë për tu marr me ato probleme, është pranim indirekt i paaftësisë për të ndërtuar shtet dhe institucione të afta për tu marr me problemin në veri. Akuzimi i bashkësisë ndërkombëtare për problemet në veri është pranim i faktit që qeveria ka dështuar me iu mbush mendjen se është e aftë për zgjidhjen e problemeve në veri”, tha Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi tha se zgjidhja e çështjes së veriut duhet të bëhet në bashkërendim të veprimeve të institucioneve të Kosovës.

“Hapat në implementim ne duhet ti marrim, do të jemi të pandalshëm, kriminelët do të vihen para drejtësisë herët apo vonë, e drejtësia mund të jetë e ngadalshme, por një ditë ata do ti vihen para drejtësisë. Hetimet që po bëhen jo vetëm për rastin e Selver Haradinaj por edhe hetime të tjera një ditë do t'i ballafaqojmë para drejtësisë dhe drejtësia do të dominoj në raport me Kosovën dhe në raport me të tjerët dhe askush prej neve nuk duhet t'i frikësohet logjikës që një ditë do të veprojë atje. Por, çka jemi të kujdesshëm besoj pozita dhe opozita na intereson suksesi dhe çelësi i suksesit është bashkërendimi në veprimet tona dhe veprimet tona nuk mund të arrihen në veri pa u sfiduar”, tha zoti Kuqi.

Veriu i banuar me shumicë serbe është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës. Zona kontrollohet nga strukturat e mbështetura nga Beogradi të cilët kanë paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në atë zonë, me gjithë kundërshtimin e Prishtinës por edhe vendimin e Beogradit zyrtar për të hequr dorë prej tyre.

XS
SM
MD
LG