Lidhje

Petraeus jep direktivën e parë për mbrojtjen e trupave dhe civilëve në Afganistan


Petraeus jep direktivën e parë për mbrojtjen e trupave dhe civilëve në Afganistan
Petraeus jep direktivën e parë për mbrojtjen e trupave dhe civilëve në Afganistan

Komandati i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, gjenerali David Petraeus, u ka dhënë direktivën e parë taktike afro 150 mijë trupave që ka nën komandë, duke synuar ndër të tjera t’i përgjigjet shqetësimit që kanë shprehur disa trupa se urdhërat e mëparshëm po e bënin shumë të vështirë që ata të mbroheshin.

Direktiva e gjeneralit Petraeus urdhëron trupat që të mos përdorin forcë pa u siguruar se nuk do të pësojnë civilët afganë, por me përjashtim të dy rasteve. Përmbajtja e plotë e kësaj direktive është mbajtur sekret. Mirëpo një njoftim nga komanda e NATO-s thotë se rrethanat e vetme në të cilat mund të rrezikohen civilët afganë janë ato “kur është përcaktuar se nuk ka zgjidhje tjetër” për të mbrojtur trupat ndërkombëtare ose afgane.

Përveç këtyre rasteve, trupave u kërkohet ta kenë mbrojtjen e civilëve afganë përparësinë kryesore. Disa trupa ishin ankuar se direktiva e mëparshme, e lëshuar para një viti nga paraardhësi i gjeneralit Petraeus, kufizonte së tepërmi mundësinë e tyre për t’u mbrojtur. Zëdhënësi ushtarak i NATO-s në Kabul, gjeneral-brigadieri gjerman Josef Blotz, thotë se dokumenti i ri nuk do t’i pengojë ushtarët.

“Gjenerali Petraeus e ka bërë tejet të qartë se asgjë nuk ka për qëllim të pengojë të drejtën e individit për vetëmbrojtje”.

Gjenerali Petraeus është udhëheqës i lëvizjës së kundër kreyngritjeve në ushtrinë amerikane, që i kushton rëndësi mbrojtjes së popullatës vendore. Por ai tha gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij në qershor se e shihte të rëndësishme që edhe trupat të ishin në gjendje për t’u mbrojtur.

“E shoh si domosdoshmëri morale që të përdorim të gjitha mundësitë për të mbrojtur burrat dhe gratë tona në uniformë si dhe forcat afgane të sigurisë, përkrah të cilëve po luftojnë trupat e koalicionit. Atyre në fushëbetejë u duhet mbështetja e nevojshme kur janë në rrethana të vështira”.

Disa zyrtarë ushtarakë arritën në përfundimin se komandantët vendorë kishin interpretuar direktivën e mëparshme në mënyrë shumë të rreptë, andaj gjenerali Petraeus thotë në urdhërin e tij se “komandantët vartës nuk janë të autorizuar që të kufizojnë më tej këtë udhëzim” pa miratimin e tij. Gjeneral-lejtnanti në pension i ushtrisë amerikane, James Dubik, thotë se kjo është e rëndësishme.

“Ai po synon të vendosë rendin në gjithë shkallën e komandës, andaj janë dhënë më shumë sqarime sesa në muajt e mëparshëm. Nëse ai nuk është i kufizuar, por vartësit e tij janë të kufizuar, pastaj vartësit e tyre janë edhe më të kufizuar, kur arrijmë te togat e ushtarëve, ata nuk kanë të drejtë të hapin zjarr kundër askujt. Prandaj me urtësi gjenerali tha: ‘shikoni, këto janë kufizimet që do të vlejnë për të gjithë ne’”.

Dokumenti i gjeneralit Petraeus po ashtu u kërkon trupave që të jenë “të pamëshirshëm” në ndjekje të talebanëve dhe grupeve që kanë lidhje me ta, por thotë se “na duhet të baraspeshojmë ndjekjen e armikut me përpjekjet tona për të minimizuar humbjen e jetëve të civilëve të pajafshëm dhe detyrimin për të mbrojtur trupat tona”. Gjenerali Petraeus thotë se është “domosdoshmëri morale” që të mbrohen civilët, por të mbrohen edhe trupat.

XS
SM
MD
LG