Lidhje

Pentagoni ka në plan të shkurtojë mijëra trupa tokësore amerikane


Pentagoni ka në plan të shkurtojë mijëra trupa tokësore amerikane
Pentagoni ka në plan të shkurtojë mijëra trupa tokësore amerikane

Administrata e presidentit Obama bëri të njohura hollësitë e shkurtimeve të mëdha në buxhetin amerikan të mbrojtjes, një lëvizje që do të rezultonte në një ushtri më të vogël dhe më të efektshme, pas konflikteve në Irak dhe në Afganistan. Shkurtimet që pritet të njoftohen nga presidenti dhe të miratohen nga Kongresi, do të sjellin një ulje të pagave dhe pensioneve të ushtarakëve, mbylljen e disa bazave dhe një pakësim të konsiderueshëm të numrit të trupave tokësore.

Shkurtimet do të prekin më shumë forcat tokesore dhe ato detare. Sipas sekretarit të Mbrojtjes Leon Paneta, ato do të sjellin një kursim prej 259 miliardë dollarësh në një periudhë 5 vjeçare.

“Me këtë buxhet, ne kemi në plan ta ulim numrin e forcave tokësore në 490 mijë vetë nga 562 mijë që është tani. Numri i marinsave po ashtu do të pakësohet, nga 202 mijë që është tani, në 182 mijë vetë,” tha Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta.

Ndërsa po e pakëson me dhjetra mijëra vetë numrin e trupave tokësore, ushtria amerikane po ashtu do të ngadalësojë blerjen e avionëve luftarakë F-35 dhe do të mbyllë një numër bazash ushtarake.

Por buxheti i ri do të rritet në fusha të tjera, si sistemet e avionëve pa pilot dhe për forcat speciale, të cilat vranë vitin e kaluar Osama Bin Ladenin.

Strategjia e re e kthen vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Paqësorit dhe drejt kërcënimeve të mundshme nga Kina, e cila po fuqizohet dhe Koreja e Veriut, me synime bërthamore, ndërkohë që vazhdon të ndjekë me kujdes edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Përparësi tani është forcimi i kapaciteve detare dhe ajrore.

“Strategjia e re po ashtu parasheh që marinsat dhe forca detare t’i përshtaten të ardhmes, me misione stabilizimi dhe luftarake, sipas nevojës, dhe duke u përqëndruar më tepër tek këto rajone kritike”, thotë zoti Paneta.

Analisti për mbrojtjen, Matt Irvine, i Qendrës për Sigurinë e Re amerikane në Washington, thotë se synimi i administratës është ta ndryshojë shpërndarjen e trupave, duke pakësuar ato tokësore, të cilat ishin shtuar së tepërmi në luftrat pas 11 shtatorit.

“Numri i forcave tokësore i nevojshëm për të mbështetur këto rotacione forcash është pakësuar. Në të njëjtën kohë, ekziston një argument strategjik, sipas të cilit forcat tokësore mund të fuqizohen më shpejt se sa ato detare dhe ajrore, pra pakësimi i forcave tokësore është një veprim më i sigurtë në afat të shkurtër, sepse ato mund të fuqizohen më shpjet, në se paraqitet një kërcënim i ri”.

Këto kërcënime mund të vijnë nga Irani dhe nga pika të tjera të nxehta të Lindjes së Mesme, ku forcat amerikane do ta ruajnë praninë e tyre edhe pas tërheqjes dhe pakësimit të trupave nga Iraku dhe Afganistani.

Buxheti i Pentagonit përballet me një shqyrtim të kujdesshëm këtë vit zgjedhjesh, në kushtet kur kundërshtarët e Presidentit Obama e akuzojnë administratën e tij për dobësimin e ushtrisë dhe të tjerë venë në pikëpyetje pakësimin e forcave amerikane, ndërkohë që në Afganistan vazhdon ende lufta me forcat tokësore.

XS
SM
MD
LG