Lidhje

Shqipëri: 21 vjetori i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë

  • Armand Mero
  • Zëri Amerikës

Shqipëri: 21 vjetori i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë

Shqipëri: 21 vjetori i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë

Në Shqipëri u përkujtua sot 20 shkurti dita në të cilën qytetarët e Tiranës, të nxitur nga greva e urisë së studentëve, rrëzuan 21 vjet më parë, bustin e diktatorit Enver Hoxha në qendër të kryeqytetit.

Më 20 shkurt të vitit 1991 mbi 700 studentë ishin në ditën e tretë të grevës së urisë përmes së cilës kërkohej që universitetit të Tiranës t’i hiqej emri i diktatorit komunist Enver Hoxha. Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin qëndror të kryeqytetit ku ngrihej shtatorja e diktatorit dhe e rrëzuan atë, duke shënuar, pas shpalljes së pluralizmit politik në dhjetor të 1990, një kthesë vendimtare në zhvillimet e mëpasshme në vend.

Sot në Muzeun Historik Kombëtar u hap pavioni i Terrorit komunist, ku janë ekspozuar foto, dokumenta e dëshmi të burgjeve dhe persekutimit të diktaturës. Por edhe një ngjarje si 20 shkurti i 1991 nuk i shpëtoi polemikave dhe shkëmbimit të akuzave politike.

Kryeministri Sali Berisha akuzoi partinë socialiste se në drejtimin e saj ka rikthyer pinjollët e diktaturës duke u shprehur se për dy vjet me radhë "u përpoqën të bllokonin integrimin europian të vendit". I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit socialist Edi Rama përmes faqes së tij në Twitter. Zoti Rama shkruan se “Askush ndër ata që rrëzuan monumentin e Enverit s'e imagjinonte dot që 21 vjet më vonë Shqipëria do mbahej peng nga një Sekretar i Enverit” duke shtuar se i konsideronte të turpshme sulmet e egra ndaj opozitës” dhe se “në 7 vjet uzurpatorët e qeverisë – sipas tij – nuk bënë për të përndjëkurit asgjë më shumë se sa riinaugurimi të një pavioni muzeal tipik komunist” shkruan zoti Rama.

XS
SM
MD
LG