Lidhje

Topi: Nuk do të shkoj në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit


Topi: Nuk do të shkoj në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

Topi: Nuk do të shkoj në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi deklaroi në mbrëmje se ai nuk do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të marrë një interpretim mbi procedurat parlamentare e zgjedhjes së presidentit të ri në muajin qershor. Presidenti Topi i bëri këto komente në studiot e televizionit Top Channel, ku ishte ftuar në programin e mirënjohur për antikorrupsionin Fiks Fare.

“Presidenti dhe palët politike kanë të drejtë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Meqenëse ky debat ka lindur tek palët politike, atëherë janë ato që mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk do ta shfrytëzoj këtë atribut të presidentit sa kohë që këtë mundësi e kanë të tjerët” - tha Presidenti Topi, i cili ka bërë të ditur prej disa javësh se nuk do të kandidojë më për këtë post.

Zoti Topi hodhi poshtë komentet politike mbi votën e tij në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke lënë të kuptohet se ajo votë nuk ishte ashtu si u tha në media. Ai tha me ironi se “përvoja ka treguar se vota e presidentit nuk është më e fshehtë, dhe se “pavarësisht si voton presidenti, tani ka specialistë që e lexojnë si duan votën e presidentit, duke e modifikuar atë”.

Presidenti Topi ironizoi gjithashtu edhe marrëveshjen PD-PS kur u bënë ndryshimet e fundit në Kushtetutë 3 vjet më parë, duke thënë se “inercia e shpejtësisë së atyre ndryshimeve kushtetuese mund të kishte vendosur edhe presidencën nën varësinë e qeverisë”. Ai përsëri la prapa shumë paqartësi rreth mundësisë nëse do të krijojë apo jo një parti të re, si raportojnë mediat, të cilat “po shkruajnë shumë pa parë ndonjë veprim konkret”.

Prej disa ditësh në shtypin vendas është hapur një debat midis konstitucionalistëve të ndryshëm rreth mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Disa prej tyre thonë se mungesa e deputetëve në sallë mund të dështojë raundet e para, disa të tjerë thonë jo. Opozita socialiste thotë se ky është një rast i ngjashëm me atë zotit Pacolli në Prishtinë. Ndërsa shumica demokrate thotë se presidenti do të zgjidhet si thotë Kushtetuta, e cila nuk ka për këtë temë asnjë paqartësi, dhe se ai do të jetë një përfaqësues i lartë politik i Partisë Demokratike.

XS
SM
MD
LG