Lidhje

Sa efektiv është trajtimi si vepër penale e përhapjes së virusit HIV


In Kenya door-to-door counselors undergo special training on how to test couples and families for HIV
In Kenya door-to-door counselors undergo special training on how to test couples and families for HIV

Një këngëtare e njohur në Gjermani është duke u gjykuar për dëmtim të rëndë trupor. Krimi për të cilin akuzohet është infektimi i një mashkulli me virusin HIV duke e ditur se ishte e infektuar. Trajtimi i përhapjes së virusit HIV si vepër penale është mjaft i përhapur në vende të Evropës dhe Amerikës Veriore që prej dekadash, ndërsa tani po miratohen ligje të tilla edhe në Afrikë. Por shumë njerëz thonë se ligjet nuk po ndihmojnë në kufizimin e përhapjes së HIV-it.

Nadia Benaisa ishte 16 vjeç dhe shtatzënë kur mësoi se ishte infektuar me HIV. Ajo u bë më pas anëtare e njërit prej grupeve më të famshme muzikore në Gjermani, No Angels. Tani 28 vjeç, zonja Benaisa është para gjyqit nën akuzat për vepër penale për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me meshkuj duke e ditur se ishte e infektuar me virusin.

Përvoja e saj është përhapur në mbarë Evropën dhe ka nxitur debate publike nëse ja vlen të kriminalizohet përhapja e virusit HIV. Neil Cobb, specialist i së drejtës penale pranë Universitetit Durham në Britani, thotë se opinioni publik në përgjithësi përkrah ligjet kriminale. Ai thotë se popullata në perëndim e sheh si detyrim moral që të dënohen njerëzit, që përhapin virusin HIV tek të tjerët. Por në Afrikë, thotë ai, ligjet shihen si të domosdoshme për të ndaluar përhapjen e HIV-it.

“Në shumicën e rasteve, kriminalizimi është parë si mënyrë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Mendoj se kjo është veçanërisht e vërtetë për shkak të mungesës së trajtimit kundër HIV-it, që në fakt është parë si mënyrë për zgjidhjen e problemit”.

Por shumë njerëz që punojnë për të luftuar përhapjen e HIV-it dhe të Sidës, përfshirë agjencinë e njohur të Kombeve të Bashkuara, UNAIDS, thonë se ligjet kanë ndikim të kundërt.

Christine Sterling, këshilltare e lartë për HIV-in dhe Sidën pranë Aleancës Ndërkombëtare kundër HIV-it, thotë se ligjet nuk parandalojnë përhapjen e mëtejshme.

“Dënimi me ligj çon në rrethana ku njerëzit ndjehen akoma më të turpëruar dhe ka shumë të ngjarë që të mos të jenë të hapur rreth gjendjes së tyre. Njerëzit mund të mendojnë se është më mirë të mos e dinë gjendjen e tyre sepse mund të mbajnë përgjegjësi penale nëse e dinë dhe pandaj mund të mos bëjnë fare analiza për HIV”.

Ligjet kriminale, thotë ajo, prekin më shumë disa komunitete të caktuara, sidomos gratë, që bëjnë analiza gjatë shtatzënisë. Ajo përmend rastin e këngëtares Benaissa.

“Mendoj se është një situatë tepër tipike sepse ajo ishte e re kur mësoi se ishte e infektuar me HIV. Ajo e mësoi këtë sepse ishte shtazënë. Ajo shkoi në një institut për kujdesin e grave shtatzëna dhe vendosi të mos tregonte për gjendjen sepse kishte turp për vete dhe për fëmijën”.

Ajo thotë se shumë njerëz kanë frikë të tregojnë se janë të infektuar me HIV për shkak të turpit që shoqërohet me këtë virus. Ajo thotë se kjo ndodh sidomos në Afrikë, ku njerëzit shqetësohen se mund të përjashtohen nga familja ose komuniteti ose të humbasin të drejtën e pronës së tyre.

Sondazhi Botëror i Kriminalizimit mbledh të dhëna rreth ligjeve që kriminalizojnë përhapjen e HIV-it. Sipas rezultateve, së paku 600 veta në mbarë botën janë dënuar nën akuzat për përhapje të virusit HIV. Gjysma e tyre ishin në Shtetet e Bashkuara. Shumica e këtyre dënimeve janë dhënë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe në Evropë.

Por sondazhi gjithashtu tregon se ligjet kriminalizuese po përhapen, sidomos në Afrikë. Moono Nyambe punon në Rrjetin Global të Njerëzve që Jetojnë me HIV dhe është angazhuar edhe në sondazh. Ajo thotë se disa nga ligjet që po miratohen në Afrikë janë të rrepta.

“Aspekti që është vënë re rreth disa ligjeve që zbatohen në Afrikë është përkufizimi i pa qartë i dispozitave të ligjeve. Disa nga ligjet e bëjnë të mundshme që një grua të ndiqet penalisht për transmetimin e HIV-it tek fëmija”.

Por ajo thotë se ligjet në Afrikë përdoren rrallë: sondazhi ka dokumentuar vetëm 10 dënime në mbarë kontinentin.

XS
SM
MD
LG