Lidhje

Shqipëri: Ndërtimi i një linje të re pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike

  • Raimond Kola

Shqipëri: Ndërtimi i një linje të re pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike

Shqipëri: Ndërtimi i një linje të re pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike

Autoritetet e energjisë në Shqipëri shpallën planet për ndërtimin e një linje të transmetimit mes Vlorës e Sarandës. Projekti pritet të sjellë përmirësimin me energji të zonës turistike të bregdetit. Ndërkaq, kompania përgjegjëse njoftoi për kufizime të thella të energjisë, për dy ditë rresht, në disa zona në Jug të Shqipërisë për shkak të riparimit të një linje të tensionit të lartë.

Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë njoftoi se do të zbatojë një projekt për ndërtimin e një linje të re elektrike që lidh Vlorën me Sarandën. Projekti përfshin ndertimin e linjës 110 kV nga Babica e Vlorës në Sarandë.

Autoritet e kompanisë njoftuan fazën e këshillimit me publikun për ndikimin që projekti ka në mjedis para nisjes së zbatimit.

Projekti shihet mjaft i rëndësishëm për të përmirësuar gjendjen e furnizimit me energji elektrike të rajonit jugperëndimor të vendit, për të perballuar ngarkesën gjithnjë në rritje te furnizimit me energji elektrike sidomos të zonës turistike bregdetare. Kjo zonë është njohur vitet e fundit për ndërtimet intensive dhe rrjedhimisht edhe me nevojat e mëdha për sistemet e furnizimit me energji.

Me ndërtimin e kësaj linje kompania synon të përmirësojë cilësinë e rrjetit të transmetimit si dhe uljen e humbjeve teknike të energjisë, që deri tani vlerësohen prej saj në nivele mjaft te larta. Kompania ka premtuar se ndërtimi i linjës do të përmiresojë gjithashtu nivelin e tensionit të furnizimit me energji në këtë rajon, si dhe do te krijojë mundësi per zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së energjise elektrike në pjesën më të pasur me burime turistike te Shqipërisë, duke garantuar furnizim cilësor me energji elektrike.

Kompania nuk ka deklaruar ende afatin kohor të zbatimit të projektit.

Ndërkaq, Operatori i Transmetimit te Tensionit të Lartë njoftoi për kufizime të thella të energjisë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, të cilat prekin kryesisht zonën jugore të Shqipërisë. Kompania tha se kufizimet vijnë prej punimeve në linjën 220kV Koman-Elbasan për të zevendësuar një shtyllë të tensionit të lartë e cila u hodh në erë nga persona të panjohur fundvitin e kaluar.

Më datat 6 dhe 7 janar, nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 24, do të ketë kufizime të energjisë elektrike, nga 100MW në orët e mëngjesit deri në 200MW në orët e pikut, tha në një njoftim për shtyp të përcjellë mbrëmë, Kompania “OST”. Sipas saj rrethet që do të preken nga kufizimet janë Durrësi, Kavaja, Rrogozhina, Lushnja, Fieri, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Tepelena, Memaliaj, Përmeti, dhe Këlcyra.

Edhe gjatë këtyre ditëve në zonat jugore janë vënë re kufizime të energjisë për shkak të punimeve që bëhen për mirëmbajtjen e sistemeve të tramsmetimit. Kufizimet kanë shkaktuar probleme jo vetëm për konsumatorët, por veçanërisht për bizneset e vogla prodhuese.

XS
SM
MD
LG