Lidhje

Pasiguria globale dikton kërkesën për arin

  • Mil Arcega

Kërkesa për flori pritet të rritet ndërsa investitorët shqetësohen nga rënia e vlerës së dollarit dhe kriza e thellë ekonomike. Pavarësisht nga rënia e lehtë e vlerës krahasuar me rritjen historike në fillim të këtij viti, ky metal i çmuar mbetet një investim i sigurt dhe tërheqës. Analistët parashikojnë që çmimi të mbetet i lartë për pjesën tjetër të vitit, falë pjesërisht kërkesës në rritje të Indisë dhe Kinës.

Pas katër javësh rritjeje, çmimet më të larta për arin nuk duket se po e pakësojnë kërkesën.

Me çmimin që ka mbetur i qëndrueshëm mbi një mijë e dyqind e 36 dollarë për një ounce (ose 28.34 gramë), numri i investitorëve po rritet.

Markus Grub është drejtor menaxhues i Këshillit Botëror për Arin.

“Ne besojmë se çmimi bazë është rritur”.

Një nga arsyet është se kërkesa për metalin e çmuar zakonisht rritet kur fillon sezoni i Festivalit indian. India është nga një konsumatorët më të mëdhenj të arit në botë. Por kërkesa po rritet edhe në pjesë të tjera të botës. Zoti Grubb vë në dukje se ritmi i blerjes ngrihet përgjithësisht kur çmimi i arit luhatet.

“Ajo që vihet re është se nëse çmimi i arit bie nën 1 mijë e 200 dollarë, blerja e përditshme rritet”.

Këshilli Botëror i Arit parashikon që kërkesa të mbetet e lartë për pjesën tjetër të vitit, falë kryesisht rritjes së kërkesës nga Kina.

Kohët e fundit Pekini ka marrë masa për të liberalizuar rregullat, në mënyrë që qytetarët të blejnë flori. Po ashtu po lejon bankat vendase që të blejnë dhe të shesin ar për të inkurajuar më shumë tregëtinë. Disa investitorë besojnë se hyrja e Kinës në tregun e arit mund t’i çojë çmimet në mbi 1 mijë e 300 dollarë. Por jo të gjithë janë të joshur nga kjo.

Për menaxherin e investimeve Xhastin Stjuart, ari është thjesht një produkt tjetër.

“Duhet të kemi kujdes me arin. Megjithëse ka avantazhet e veta, unë nuk e konsideroj më shumë se sa një arushë financiare lodër: mund ta përkëdhelësh, mund ta mbash pranë por nuk bën asgjë tjetër, nuk të jep ndonjë fitim. Kështuqë mbetesh në duart e fatit të kërkesës”.

Pavarësisht nga ajo që thonë skeptikët, ari mbetet një metal tërheqës për njerëzit e shqetësuar për inflacionin dhe ndikimin e borxhit në rritje të eknomive më të mëdha të botës.

Bankat qendrore dhe autoritetet financiare kanë sasinë më të madhe të arit për shkak të aftësisë së tij për të ruajtur vlerën.

XS
SM
MD
LG