Lidhje

Islamofobia mbetet në disa pjesë të shoqërisë amerikane


Plani tashmë i anuluar i klerikut Terry Jones për të djegur kopje të Kuranit pranë kishës së tij të vogël në Florida dhe kundërshtimi publik i planeve për ndërtimin e një qendre islamike në qytetin e Nju Jorkut kanë vënë në pah atë që disa e shohin si rritje të frikës dhe armiqësisë ndaj myslimanëve dhe fesë islame në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton nga Uashingtoni kolegu Michael Bowman, është e qartë se e ashtuquajtura “islamofobi” ekziston, por më tepër në ekstremet e shoqërisë amerikane dhe jo si qëndrim i përgjithshëm i saj.

Nëntë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ka akoma frikë dhe mosbesim ndaj myslimanëve në Shtetet e Bashkuara. Xhamitë janë prekur nga vandalizmi. Një taksist mysliman u godit me thikë pasi tregoi se cilit besim i përkiste.

Danet Zagari-Mask, amerikane e besimit mysliman, thotë se kohët e fundit atë e fyu një kalimtar i rastit, duke i thënë se ishte veshur si terroriste.

“U tmerrova.”

Ajo thotë se brengoset më tepër për fëmijët e saj sesa për veten.

“Unë jam e rritur dhe mund të përballem me këtë lloj armiqësie, por është shumë e vështirë t’i shpjegohet një fëmije, që është duke formuar ndjenjën e vetëvlerësimit. Nuk duam që fëmijët tanë amerikanë myslimanë ta shohin botën si të ndarë në ‘ne’ dhe ‘ata’. Ne jemi të gjithë një racë njerëzore.”

Nga intervistat e zhvilluara me kalimtarë rasti në Uashington shihet se disa njerëz vërtet ndiejnë armiqësi ndaj myslimanëve dhe islamit.

“Për mua [islami] është një kult.”

Riçard Pullën po viziton Uashingtonin nga shteti Oregon, që ndodhet në bregdetin perëndimor të vendit.

“E patë se çfarë bënë më 11 shtator. Mua m’u duk se na e morën lirinë. Ne mundoheshim të jetonim dhe punonim këtu si njerëz paqësorë. Dhe ata erdhën e na sulmuan.”

Por shumica e njerëzve me të cilët folëm kishin pikëpamje krejt ndryshe.

“Mendoj se të gjithë duhet të respektojmë fetë e ndryshme në Amerikë. Të krishterë, çifutë, myslimanë, budistë, sajentologë – bashkëjetesa e tyre nuk prish punë.”

“Shumica e njerëzve nuk kuptojnë se cilat janë shtyllat e islamit. Është kultura që lidhet me islamin që shpeshherë i frikëson ata. Në këto rrethana na duhen zëra më të arsyeshëm.”

“Ky vend mirëpret imigrantë prej feve dhe vendeve të ndryshme. S’ka përse të kihet frikë nga një besim ose praktikë e një kulture tjetër.”

Ndryshe nga kleriku Xhons dhe kisha e tij e vogël në Florida, drejtuesit e të gjitha feve kryesore po zotohen për tolerancë dhe për të mbrojtur lirinë fetare. Shumë prej tyre folën nëpër tubime në Uashington.

“Ne nderojmë Zotin dhe nderojmë vendin, duke dashur fqinjët tanë ndërsa mbështesim lirinë fetare për të gjithë.”

“E dimë se si u ndjemë kur njerëzit na sulmuan me fjalë e na sulmuan fizikisht, ndërsa të tjerët rrinin të qetë. Kjo nuk mund të ndodhë këtu në Amerikë në vitin 2010.”

Udhëheqësit myslimanë në Amerikë gjithashtu njohin nevojën për t’u angazhuar për ndërgjegjësimin e bashkëqytetarëve të tyre.

“E kuptoj se ka shumë keqkuptime për islamin dhe për myslimanët në këtë vend. Dhe nuk i fajësoj amerikanët e rëndomtë pse ndjehen të hutuar dhe shqetësohen sepse janë shumë të zënë dhe nuk kanë shumë informacion. Është detyra jonë të ndihmojmë për t’u dhënë informacion më të mirë për islamin dhe për çfarë besojnë myslimanët.”

Historikisht, grupe të tjera fetare në Shtetet e Bashkuara janë përballur me diskriminim në periudha të ndryshme, megjithë mbështetjen së përgjithshme të Amerikës për liri dhe shumëllojshmëri fetare.

Disa vëzhgues shohin rritjen e islamofobisë kohëve të fundit si rast të ngjashëm – tepër i përmendur në media, por i përkohshëm.

“Kjo kishë e vogël në Florida me 50 anëtarë nuk përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga qindra, në mos mijëra xhami dhe qendra islame që po lulëzojnë në këtë vend. Shkollat myslimane, ku njerëzit janë të lirë të praktikojnë islamin si gati askund tjetër në botë. Kjo është Amerika dhe kjo është e ardhmja e Amerikës.”

Për familjet myslimane në Amerikë, një e ardhme, kur nuk do të ketë armiqësi ndaj islamit, mund të marrë kohë.

XS
SM
MD
LG