Lidhje

Shënohet trembëdhjetë vjetori i fillimit të luftës në Kosovë


Shënohet trembëdhjetë vjetori i fillimit të luftës në Kosovë
Shënohet trembëdhjetë vjetori i fillimit të luftës në Kosovë

Në Kosovë filluan sot manifestimet treditëshe në përkujtim të 13 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt e cila shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare në Kosovë. Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në këtë fshat. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën 54 anëtarë të familjes përfshirë edhe Adem Jasharin që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhjetë vjet pas asaj beteje Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila është njohur nga 75 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Beogradi.

Udhëheqësit politikë të Kosovës, Presidenti Behgjet Pacolli e Kryeministri Hashim Thaçi thanë se ishte sakrifica e dëshmorëve që çoi në lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Fal këtij gjaku, fal miqve tanë perëndimor ku sot dua të veçoj për një arsye të kuptueshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, ne e përmbyllëm me sukses ndërmarrjen e lirisë dhe pavarësisë sonë. Tash duhet të përkryejmë ndërtimin e shtetit tonë”, tha presidenti Pacolli.

Ne, në këto trembëdhjetë vite realizuam synimet tona shekullore për Kosovën e lirë e të pavarur, tani punojmë të bashkuar me synimin tonë tjetër e të drejt të vlerave euro atlantike për të integruar shtetin e suksesshëm të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha kryeministri Thaçi.

Edhe dymbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës që filloi me betejën e Prekazit, Kosova përballet me problemin e tejkalimit të trashëgimive të saj. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth një mijë e 800 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Në trembëdhjetë vjetorin e fillimit të luftës, Kosova po bëhet gati për një raund të ri bisedimesh me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Por të dyja palët shkojnë në këto bisedime me qëndrime krejt të kundërta. Kosova me qëndrimin se çështja e statusit është punë e kryer, ndërsa Serbia me synimin për të hapur edhe këtë çështje.

XS
SM
MD
LG