Lidhje

Turqi: Erdohan kërcënon të ngrejë akt-padi pas publikimeve të Wikileaks

  • Dorian Xhons

Turqi: Erdohan kërcënon të ngrejë akt-padi pas publikimeve të Wikileaks

Turqi: Erdohan kërcënon të ngrejë akt-padi pas publikimeve të Wikileaks

Kryeministri turk ka kërcënuar se do të ngrejë akt-padi, pas publikimit të fundit nga faqja Wikileaks të komunikimeve nga burime diplomatike. Një vit para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, informatat që përmbajnë këto dokumente mund t’i dëmtojnë pozitat politike të zotit Erdohan. Dorian Jones njofton nga Stambolli:

Një mesazh i dërguar nga Eric Edelman, në atë kohë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Turqi, ku ngrihet pretendimi se kryeministri turk Reçep Tajip Erdohan ka 8 llogari bankare në Zvicër, duket se u bë molla e sherrit.
Në komentet para përkrahësve të tij, zoti Erdohan nuk u përpoq ta fshihte revoltimin:

“Ata që kam njollosur emrin tonë, do të shkatërrohen nga vetë pesha e këtyre pretendimeve, do të zhduken,” tha ai.

Kryeministri vazhdoi më tej me kërcënime të tjera:

“Miqtë e mi po punojnë kundër këtyre diplomatëve, në përputhje me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. I kemi diskutuar këto çështje me administratën amerikane. Ata kanë kërkuar falje, por nuk mjafton. Ata duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme kundër këtyre diplomatëve”.

Udhëheqësi i forcës kryesore opozitare, Kemal Kilicdaroglu ka bërë emër duke ekspozuar korrupsionin e pushtetarëve. Që nga koha kur mori në duar drejtimin e partisë së tij, ai është përqendruar tek zoti Ergohan dhe tani beson se ka ardhur momenti i së vërtetës.

Zoti Kilicdaroglu thotë se po pret që kryeministri të ngrejë akt-padi për njollosje të figurës publike kundër Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që këto pretendime të dalin në skenën ndërkombëtare.
Analistët thonë se zoti Kilicdaroglu beson se tani kryeministri dhe partia e tij gjenden në një pozitë të vështirë, pasi po demaskohet korrupsioni i tyre.
Komentatori politik Murat Yetkin thotë se qeveria mund të përballet së shpejti me probleme edhe më të thella:

“Nëse dalin në dritë akuza të reja për korrupsion nga Wikileaks, qeveria do të gjendet në pozitë të vështirë. Qeveria është tepër e ndjeshme ndaj këtyre akuzave dhe po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga akuzat për korrupsion tek politika e jashtme”.

Por disa zyrtarë qeveritarë i analizojnë ndryshe pretendimet e ngritura në dokumentet sekrete. Një zëdhënës i qeverisë ngre idenë se bëhet fjalë për një komplot nga qeveria izraelite kundër Turqisë. Këtë dyshim e përsëriti edhe Presidenti Abdullah Gyl, i cili tha se Izraeli po përfiton nga këto dokumenta të publikuara. Në rrugët e Stambollit, ka njerëz që shprehin dyshime për vërtetësinë e akuzave.

“Nuk kam parë me sy ndonjë llogari bankare apo dokumenta që vërtetojnë ekzistencën e tyre. Pra s’mund të them që pretendimet janë me bazë”.

“Erdohani është i pasur, por nuk mendoj se ka llogari bankare në Zvicër”.

Ndërkohë që mbetet më pak se një vit deri në zgjedhjet e përgjithshme, analistët thonë se dokumentet e publikuara i kanë tronditur pozitat e kryeministrit. Por ata paralajmërojnë gjithashtu se duhet të priten mijëra dokumente të tjera që mund të publikohen gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. Të gjitha këto e kanë shndërruar këtë vit në një periudhë shqetësuese për qeverinë.

XS
SM
MD
LG