Lidhje

Ambasadori Arvizu komenton mbi zhvillimet e fundit


Diplomacia amerikane në Shqipëri shprehu optimizmin e vet se shumica e re parlamentare që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit është një mundësi e mirë që të përmirësohen gjykatat dhe ekonomia e këtij vendi. Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, deklaroi mbrëmë se është zhgënjyese mungesa e përparimit në reformat e sistemit gjyqësor, ndërsa një numër i madh qytetarësh perceptojnë gjykatat si institucione të korruptuara. Gjatë një interviste në televizionin Top Channel ai tha se ishte shumë i shqetësuar dhe shumë i zhgënjyer për sistemin gjyqësor.

“Korrupsioni, çështjet e shtetit ligjor dhe sistemi gjyqësor kanë pasur pak përparim - tha ambasadori Arvizu në televizionin Top Channel. - “Transparency International” me sondazhet e fundit tregon se rreth 80% e shqiptarëve vlerësojnë që sistemi i drejtësisë është i korruptuar ose tejet i korruptuar dhe ky është problem i madh.

Sipas tij, janë zbatuar shumë programe, miliona dollarë janë shpenzuar, por mungesa e përparimit është zhgënjyese, sepse sektori gjyqësor duhet të jetë shumë më përpara tani se sa është në të vërtetë.

Ambasadori Arvizu theksoi se përmirësimi i sistemit gjyqësor është një ndër dy përparësitë kryesore të qeverisë, krahas ekonomisë. Sipas tij, ekonomia është në vështirësi ndaj duhen hedhur hapa për punësimin, mbledhjen e taksave dhe përmirësimin e shërbimeve e në mjekësi etj.

“Banka e Shqipërisë arriti deri tani të mbajë inflacionin brenda normave duke ndjekur politika të mira. Investimet publike në infrastrukturë janë rritur, dhe ato janë shumë të nevojshme, por nismat private janë zvogëluar dhe këtu ndodhen punët e vërteta” - tha ambasadori amerikan. Sipas tij, kërkesa blerëse ka rënë dhe kjo është shenjë që njerëzit po kursejnë e s’kanë shumë para. Këto s’janë shenja të mira. “Situata në botë nuk është më e mira, dhe Shqipëria mundi t’i rezistojë deri tani krizës, por 6-12 muajt e ardhshëm do të jenë të vështira e qeveria duhet të marrë disa vendime të mira” - tha ambasadori Arvizu.

Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, bëri një seri komentesh në këtë bisedë televizive, në prag të mbylljes së detyrës së tij diplomatike këtu, mbi tema të nxehta të drejtësisë dhe politkës shqiptare, si 21 janari dhe zhvillimet e fundit në radhët e partive politke. Ai vlerësoi sidomos faktin që këmbimi i partive në pushtet u arrit me zgjedhje të rregullta dhe me sjellje të qeta nga të dy palët, duke dëshmuar se kohët dhe sjelljet politike kanë ndryshuar dhe e ardhmja i takon bashkëpunimit mes politikanëve të rinj në këto parti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG