Lidhje

Ambasadori i ri amerikan në Rusi Michael McFaul dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi


Ambasadori i ri amerikan në Rusi Michael McFaul dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi
Ambasadori i ri amerikan në Rusi Michael McFaul dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi

Michael McFaul ka marrë zyrtarisht postin e ambasadorit amerikan në Moskë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim karrierës së zotit McFaul në këndvështrimin e marrëdhënieve amerikano-ruse:

Presidenti amerikan Barak Obama është përqendruar në përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën si një prej elementëve kryesorë të politikës së tij të jashtme. Arkitekti kryesor i reformimit të këtyre marrëdhënieve është Michael McFaul, i cili tani do të jetë ambasadori amerikan në Rusi.

Gjatë viteve të fundit, McFaul ka qenë këshilltar i posaçëm i presidentit për marrëdhëniet me Rusinë, një titull që i jepte atij një status të ngjashëm me stafin e ngushtë të Shtëpisë së Bardhë. Tani ai do të marrë një rol që tradicionalisht u jepet diplomatëve të karrierës.

Por Joseph Cirincione, ekspert për kontrollin e armëve i cili e njeh dhe ka punuar nga afër me zotin McFaul, thotë se roli i ri nuk do të jetë problem për të:

“Mike McFaul sjell një dorë shumë të mirë letrash në këtë lojë. Së pari, ai është një këshilltar i afërt me Presidentin Obama, pra rusët e dinë se në atë post po vjen dikush që e di se si mendon Presidenti Obama, këshillat e të cilit vlerësohen dhe se ai mund të flasë në emër të Presidentit dhe të flasë drejtpërdrejt me Presidentin sa herë që dëshiron. Ai është gjithashtu ekspert për Rusinë. Ai e ka studiuar historinë dhe kulturën e këtij vendi dhe prej dy vjetësh punon për çështje të rëndësisë së lartë në marrëdhëniet e administratës Obama me Rusinë”.

Ekspertët thonë se zoti McFaul ka qenë gjithashtu kritik i fortë i politikave të Moskës, veçanërisht lidhur me shtypjen e dissidentëve. Analisti Cirincione shpjegon më tej:

“Ai nuk është një njeri që mbyll sytë kur Rusia përpiqet të përdorë një dorë të rëndë mbi fqinjët apo në reagimet kundër qytetarëve të saj. Ai është një zë për demokracinë, për një marrëdhënie të re me Rusinë dhe dëshiron që Rusia të integrohet në një sistem të ri të sigurisë evropiane”.

Zoti McFaul zëvendëson John Beyrle, të cilin ekspertët e përshkruajnë si një ambasador shumë popullor amerikan. Ai fliste rusisht dhe konsiderohej si ekspert i Rusisë. I ati i tij, Joe, ushtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte i vetmi person që ka luftuar si në radhët e ushtrisë amerikane, ashtu edhe asaj sovjetike kundër Gjermanisë naziste. Në vitin 1994 ai u nderua nga presidenti i atëhershëm rus Boris Jelcin me një numër medaljesh për shërbimin e tij në radhët e ushtrisë sovjetike.

Michael McFaul shkon në Moskë në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira. Ekspertët thonë momenti më pozitiv në marrëdhëniet SHBA-Rusi gjatë administratës Obama ishte ratifikimi i Traktatit të ri START. Ky pakt pakëson numrin e raketave të dislokuara me mbushje bërthamore dhe sistemeve të lëshimit.

Por ekspertët thonë se negociatat për kontrollin e armëve në të ardhmen, si për shembull për elimimin e plotë të armëve bërthamore, mund të jenë shumë më të vështira.

Po ashtu, thotë Joseph Cirincione, është ende problemi acarues i sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat. Ai thotë se Rusia beson se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të marrin epërsinë mbi Moskën, duke e ditur se fuqia bërthamore ruse është drejt rënies.

“Arsenali bërthamor rus po vjetërohet dhe Rusia nuk ka fonde për t’i zëvendësuar një për një këto armë. Ata shqetësohen se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të marrin avantazhin duke e rrethuar Rusinë me një unazë sistemesh anti-raketë, që thuhet se po vendosen për mbrojtje nga Irani, por Moska beson se objektivi sekret është Rusia. Rusët shqetësohen se ky sistem do të jetë në gjendje të eliminojë me një goditje të vetme forcat bërthamore ruse. Kjo e gjitha është një fantazi, pa asnjë element real në të”.

Por, thotë analisti Cirincione, rusët kanë frikë dhe dyshime reale për motivet amerikane. Ekspertët thonë se një fushë ku bashkëpunimi dypalësh është në rritje, është çështja e programit të armëve bërthamore që mendohet se ka Irani. John Parker i Universtitetit të Mbrojtjes Kombëtare thotë se Rusia e ka ashpërsuar qëndrimin e saj gjatë viteve:

“Kur Obama erdhi në post, rusët filluan të tërhiqen nga kontrata për të transferuar sisteme të mbrojtjes ajrore për Iranin. Më pas ata iu bashkuan Amerikës në mbështetje të rezolutave shumë të ashpra të Këshillit të Sigurimit kundër Iranit. Presidenti Medvedev nxori një dekret për të penguar në masën më të madhe të mundshme, transferimin e armëve në Iran. Ai e pasoi këtë vendim me anulimin e kontratës për transferimin e sistemit anti-ajror S-300. Pra rusët kanë avancuar shumë në qëndrimin ndaj Iranit”.

Ekpsertët parashikojnë se Moska do të vazhdojë të mbetet e angazhuar në marrëdhënie me Iranin, duke pasur parasysh pozitën e këtij vendi në Lindjen e Mesme dhe interesat ruse në Kaukaze dhe Azinë qendrore. Analistët thonë se programi iranian i armëve dhe përpjekjet për të parandaluar ambicjet bërthamore të këtij vendi, do të jenë në krye të axhendës së ambasadorit të ri amerikan në Rusi.

XS
SM
MD
LG