Lidhje

SHBA mbështesin bisedimet Kosovë-Serbi


Tracey Ann Jacobson

Tracey Ann Jacobson

Ambasadorja amerikane Tracey Jacobson thotë se bisedimet serioze me Serbinë mund të sjellin përparim për gjithë rajonin


Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, tha sot se Shtetet e Bashkuara besojnë që bisedimet Kosovë – Serbi mund të sjellin më shumë përparim në rajon, përfshirë edhe atë ekonomik.

Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cili siç tha, i ka rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zhvillimin e saj si demokraci shumetnike dhe rrugën e saj evropiane.

U shpreha mbështetjen e plotë përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për t’i shtrirë dorën popullsisë në veri dhe për angazhim në bisedime serioze me Serbinë, të cilat, ne besojmë se do të sjellin përparim të mëtejmë në rajon përfshire edhe përparimin ekonomik” tha ambasadorja amerikane, e cila nga mikpritësi i saj kryeministri Thaçi, është njoftuar për qasjen ndaj veriut të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.



Në të njëjtën kohë e informova ambasadoren edhe për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që është edhe një nga kriteret e domosdoshme për të gjitha vendet, që të kenë fqinjësi të mirë me njëra tjetrën, për tu integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO”, tha kryeministri Thaçi.

Vjeshta e këtij vitit thuhet të jetë stinë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa çështja e veriut të banuar me shumicë serbe përmendet si temë kryesore e tyre, ndonëse Prishtina ngulë këmbë që kjo është çështje e brendshme e saj.

Paralajmërimi i diskutimeve të tilla ka nxitur edhe diskutimet rreth mundësisë së përfshirjes sa më të gjerë të forcave politike në proces.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG