Lidhje

Analistët paralajmërojnë se konflikti në Libi mund të zgjasë

  • Meredith Buel

Analistët paralajmërojnë se konflikti në Libi mund të zgjasë

Analistët paralajmërojnë se konflikti në Libi mund të zgjasë

Forcat e përfshira në krizën e dhunshme të Libisë duket të jenë gjithnjë e më të përqendruara në pozicionet e tyre. Kundërshtarët e Gadafit, të mbështetur nga disa njësi të ushtrisë, kanë marrë pjesën lindore të vendit, ndërsa udhëheqësi libian, i mbështetur nga forcat e sigurisë dhe të milicisë, ruan kontrollin e kryeqytetit Tripoli.

Mishel Dan është specialiste për çështjet e Lindjes së Mesme në Institutin për Paqe Ndërkombëtare “Karnegi” në Uashington.

“Është një situatë shumë e frikshme në Libi tani. Nuk duket sikur ajo do të jetë në gjendje të zgjidhet në mënyrë relativisht paqësore si kryengritjet në Tunizi dhe Egjipt. Dhe është me të vërtetë e paqartë tani se nga po shkojmë. Ne mund të shkojmë drejt një periudhe të dhunës, edhe të luftës civile, që do të vazhdojë për disa kohë brenda Libisë.”

Ushtria në Libi është përçarë dhe disa oficerë po mbështesin protestuesit. Të tjerët janë duke zbatuar urdhërat e zotit Gadafit dhe po përdorin forcën kundër opozitës.

“Tani, po shohim se palët janë duke ngecur”, thotë Dejvid Mak.

Ai është studiues në Institutin e Lindjes së Mesme këtu në Uashington dhe shërbente si diplomat amerikan në Tripoli kur zoti Gadafi mori pushtetin më shumë se katër dekada më parë.

Ai thotë se edhe pse kryengritësit dhe forcat qeveritare janë ende duke luftuar, ata duket se janë pranë një ngecje.

“Tani për tani, kryengritësit në pjesën lindore të vendit janë të sigurt për aq kohë sa nuk ia nisin luftës mes vete. Nuk ka asnjë mundësi që ata të mposhten nga forcat besnike të Gadafit. Lajm i keq është se kryengritësit në Libi lindore dhe disa nga qytetet në perëndim me siguri nuk kanë kapacitet për të lëvizur me sukses kundër Gadafit në këtë periudhë.”

Faqja elektronike GlobalSecurity.org thotë se zoti Gadafi bleu qindra aeroplanë luftarakë dhe mijëra tanke nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, por që shumica e pajisjeve nuk janë mirëmbajtur si duhet.

Megjithë thirrjet e brendshme dhe ndërkombëtare që ai të japë dorëheqjen, zoti Gadafi ka premtuar vazhdimisht se ai nuk do të largohet nga pushteti.

Mek Dejvid i Institutit të Lindjes së Mesme:

“Unë i besoj fjalëve të tij se ka ndërmend të luftojë deri në plumbin e fundit. Kjo është njëmend për të ardhur keq, sepse kam frikë se do të vdesin shumë libianë të pafajshëm. Unë vërtet nuk shoh ndonjë mundësi që ai të gjejë strehë jashtë Libisë dhe s’ma merr mendja se ai do të largohet.”

Zyrtarët perëndimorë po diskutojnë mundësinë e vendosjes së ndalim-fluturimit mbi Libi për të parandaluar vrasjen e civilëve nga forcat besnike të zotit Gadafi.

Njoftohet se avionët ushtarakë të Libisë kanë sulmuar depot e municionit për të penguar kryengritësit që të sigurojnë pajisje ushtarake.

Çarls Ris, drejtor i Qendrës për Politika Publike të Lindjes së Mesme në Korporatën “Rand” këtu në Uashington, thotë se nëse forca ajrore përdoret për të qëlluar disidentët, bashkësia ndërkombëtare mund të ndërhyjë.

“Në qoftë se aviacioni bëhet pjesë standarde e forcës ushtarake që Gadafi po përpiqet të përdorë për të qëndruar në pushtet, atëherë dyshoj se fuqitë perëndimore do të mund të vendosin ndalim-fluturimin sa më parë.”

Analistët thonë se në Libi nuk ka ndonjë organizatë të fortë politike apo ushtarake, kështu që edhe në qoftë se zoti Gadafi largohet nga vendi, nuk është e qartë se kush do të sundojë.

XS
SM
MD
LG