Lidhje

Graziosi: "I rëndësishëm punësimi cilësor, sjell rritje ekonomike".


Komente të drejtorit të ILO-s për Europën Qendrore dhe Lindore, Antonio Graziosi, mbi papunësinë dhe ekonominë e Shqipërisë.

Organizata Ndërkombëtare e Punës po e ndihmon Shqipërinë që të hartojë një strategji të përshtatshme për rritjen e punësimit. Drejtori i kësaj organizate për Europën Qendrore dhe Lindore, Antonio Graciozi, thotë se papunësia në Shqipëri është 20-21 për qind, por më e rëndësishme, sipas tij, cilësia e punësimit. Zoti Graciozi thotë se sfida e Shqipërisë është që të lidhë rritjen ekonomike me rritjen e punësimit, sepse për shumë vite këto kanë qenë të shkëputura.

Sipas llogaritjeve të reja nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, papunësia zyrtare në Shqipëri është 20-21 për qind, por çështje themelore në këtë fushë, mbetet cilësia e punësimit. Kështu thotë Antonio Graciozi, drejtor për Europën Qendrore dhe Lindore në Organizatën Ndërkombëtare të Punës. Ai shpjegon se shifrat e reja dolën nga zbatimi i standarteve ndërkombëtare të matjes, bazuar mbi të dhënat e ofruara nga INSTAT.

“Situata në Shqipëri është serioze, por jo shumë e ndryshme nga vendet e tjera në rajon, që kanë rritje ekonomike më të lartë ose më të ulët - thotë zoti Graciozi. - Në thelb llogaritja mbetet tek raporti midis njerëzve që kanë një punë dhe atyre që kërkojnë një punë. Këta janë njerëz ekonomikisht aktivë. Ka edhe shumë të tjerë që duan punë, por nuk e kërkojnë sepse kanë humbur shpresën, të tjerë punësohen në të zezë... Këtu ka edhe ekonomi informale. Njerëzit punojnë jashtë kushteve ligjore dhe pa standarte. Pra, ka një papunësi zyrtare, ka edhe një papunësi reale, ose një boshllëk papunësie, si mund të quhet. Por, këshilla ime, - thotë zoti Graciozi - është që njerëzit të mos kapen pas shifrave, sepse ato janë një element dytësor. Më shumë rëndësi ka cilësia e punësimit”.

“Ndodh që papunësia në një vend është më e lartë se te një shtet tjetër, por kjo nuk do të thotë se jeta në shtetin e dytë është më e mirë. Ka shumë elemente që lidhen me cilësinë. Me fitimet, me kushtet e punës. me të drejtat e punëtorëve. Organizata Ndërkombëtare e Punës ILO, sipas drejtorit të saj për Europën Qendrore e Lindore, po mbështet qeveritë dhe organizatat e punës në rajon, që të përballojnë sfidat e papunësisë, të përmirësojnë politikat e tregut të punës. Mbi të gjitha ILO është e shqetësuar më shumë mbi punësimin cilësor: punësim me të drejta, me kushte të mira në vendin e punës, me sigurime shoqërore, me shanse të barabarta për punësim për të gjitha shtresat e popullsisë”.

“Sfida e qeverisë shqiptare - thotë zoti Graciozi - nuk është e ndryshme nga ajo e qeverive të tjera në Europë apo në botë: ajo duhet të lidhë më mirë rritjen ekonomike me shtimit e vendeve të punës. Gjatë 20 viteve ekonomia në Shqipëri është rritur jo në të njëjtin hap, jo në të përqindje dhe jo në të njëjtën kohë me vendet e punës. Kur ekonomia frenohet vendet e punës humbasin. Atëherë duhet të ndodhë edhe e kundërta. Rritja ekonomike nuk mund të vijë e palidhur me punësimin”.

“Ju nuk mund të krijoni punësim pa patur rritje ekonomike. - thotë zoti Graciozi. - Parashikimet flasin për rritje ekonomike modeste në këtë periudhë. Por ju nuk do të keni rritje ekonomike pa shtuar punësimin; kjo është sfida që po përballin sot të gjitha qeveritë. Këtë po diskutojmë me qeverinë në hartimin e politikave fiskale; si të lidhim punësimin me rritjen ekonomike, që sapo të punësojmë njerëz të vijë njëkohësisht edhe rritja ekonmike. Pra këto dy tregues duhen integruar me njëri-tjetrin”- thotë drejtori rajonal i Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Ai bëri të ditur se pas disa javësh në Shqipëri do të publikohet strategjia kombëtare mbi politikat e punësimit, e hartuar nga qeveria dhe partnerët socialë, edhe me ndihmën e ILO-s. Sipas tij, strategjia kombëtare duhet të ecë paralel në disa përmasa: hapësira fiskale për të forcuar ekonominë, investime publike dhe private në një klimë të favorshme për investime, një lidhje midis tregut të punës dhe shkollimit profesional. “Në periudha të vështira ekonomike mbyllen një pjesë e vendeve të punës, ndërsa biznesi dhe institucionet mundohen të hapin vende të reja. Kryesorja është rritja e prodhimit, kualifikimi i punëtorëve për prodhim më të madh me makineri më moderne” - thotë zoti Graciozi.

Ekspertët vlerësojnë se punësimi është vetëm njëri nga treguesit e tregut të punës. Në Shqipëri mungon vetë tregu i punës si një sistem i rregullt institucionesh. Në mungesë të këtij rrjeti institucionesh ose të bashkëpunimit mes tyre, njerëzit emigrojnë ose punojnë në të zezë, ose vetëpunësohen, duke punuar së bashku me fëmijët dhe me familjen. Këto forma joligjore quhen nga ekspertët si lloje nën-punësimi, ku njerëzit pranojnë të bëjnë punë pa kushte pune dhe pa sigurime shoqërore, për të sjellë ca para në shtëpi, dukuri të cilat do të pakësohen me zbatimin e saktë të ligjeve, që vendi i ka miratuar.

XS
SM
MD
LG