Lidhje

"Apologjia e Sokratit" interpretuar në shqip në Gjenevë


Artistët e skenës shqiptare kanë dhënë në sallën plenare të OKB-së në Gjenevë një shfaqje të veçantë

Artistët e skenës shqiptare sapo kanë dhënë në sallën plenare të OKB-së në Gjenevë një shfaqje të veçantë. Aktori i njohur Mirush Kabashi luajti monodramën "Apologjia e Vërtetë e Sokratit", një pjesë e autorit grek Kostas Varnalis. Kjo është hera e parë që salla e OKB në Gjenevë hapet për një shfaqje artistike. Organizatoret e arriten këtë në shenjë nderimi për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Aktori i mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi sapo ka dhënë një shfaqje të veçantë në auditoret ndërkombëtare. Ai recitoi monodramën e shkrimtarit grek Kostas Varnalis “Apologjia e vërtetë e Sokratit” në sallën e OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë të Zvicrës.

Spektatorët ishin përfaqësues të 200 misioneve diplomatike të OKB-së dhe disa qindra qytetarë dhe studentë vendas dhe shqiptarë, në sallën me mbi 750 vende, e cila hapej për herë të parë për një shfaqje teatrore.

Zoti Kabashi thotë se është “i lumtur që u foli diplomatëve të demokracive botërore me gjuhën e Sokratit, i cili është një nga themeluesit e koncepteve dekoratike në antikitetin grek”.

Artisti Kabashi thotë se kishte shumë emocione, nder dhe privilegj që po luante monodramën e Sokratit në sallën plenare XX të OKB, ku pikërisht ai do të rrëfente në gjuhën shqipe përpara qindra diplomatëve nga e gjithë bota.

Aktori i mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi ka marrë pjesë në një mori dramash dhe filmash artistikë, një galeri ku “Apologjia e vërtetë e Sokratit” zë një vend kryesor. Me këtë monodramë ai ka fituar çmimin ndërkombëtar “Sfinksi i Artë”, dhe madje në fund të njërës prej shfaqjeve të shumta të kësaj pjese dramatike ai u dekorua nga presidenti i Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG