Lidhje

Arabo-amerikanët të pakënaqur me Partinë Republikane


Më 28 shkurt, votuesit në Miçigan morën pjesë në një etapë shumë të rëndësishme të zgjedhjeve paraprake për kandidatin republikan për president. Por arabo-amerikanët e shumtë që jetojnë në atë shtet janë të pakënaqur me vendin që ata zënë në procesin politik amerikan. Anëtarët e këtij komuniteti imigrantësh, të cilët dikur ishin mbështetës të fortë të Partisë Republikane, tani po largohen në masë prej saj, duke mos pranuar të votojnë për një parti që ata thonë se i ka braktisur.

Në shtetin e Miçiganit jetojnë rreth 300 mijë arabo-amerikanë, shumica e të cilëve gjendet në zonën e Detroitit.

Komuniteti i tyre është mjaft i bashkuar dhe i ndërtuar mbi vlera shoqërore konservatore. Në vitet ’90, më shumë se një e treta e arabo-amerikanëve e cilësonin veten republikanë. Por udhëheqësit e këtij komuniteti thonë tani se situata ka ndryshuar.

Osama Siblani është botuesi i faqes së internetit Arab American News.com.

Ai thotë se vitet që shumë anëtarë të komunitetit i përshkruajnë si anti-arabe dhe ndjenjat anti-myslimane të Partisë Republikane qysh nga viti 2001 kanë ndikuar negativisht në pjesëmarrjen e arabo-amerikanëve në zgjedhjet paraprkae.

“Kur bëhet fjalë për vlerat fetare dhe familjare, si dhe për sipërmarrjet – pra, bizneset e vogla – ne jemi me republikanët. Prandaj unë nuk kuptoj se si ata mund të përjashtojnë një komunitet kaq të fuqishëm i cili lufton për politikat e tyre të brendshme.”

Warren David është kryetar i Komitetit Arabo-Amerikan Kundër Diskriminit në Uashington.

Ai thotë se gjatë 35 vjetëve të tij politikë, ai kurrë nuk ka parë më pak entuziazëm prej arabo-amerikanëve, shumë prej të cilëve tradicionalisht kanë mbështetur republikanët.

“Shumica prej tyre nuk janë aspak të entuziastë për Partinë Republikane. Kjo e sotmja nuk është një Parti Republikane që arabo-amerikanët mund të mbështesin.”

Zyrtarisht, Partia Republikane shprehet se do që të gjithë të ndihen të mirëpritur. Por grupet arabo-amerikane thonë se lufta në Irak dhe politikat e brendshme anti-terroriste – për të cilat ata thonë se shkaktuan përçarje etnike – kanë sjellë tek anëtarët e komunitetit shumë pakënaqësi ndaj kampit konservator.

Një anketë e vitit 2010 e firmës Zogby International tregoi se vetëm 12 për qind e arabo-amerikanëve të lindur jashtë vendit duan që republikanët të kontrollojnë Kongresin.

Në këtë dyqan libanez në periferi të Detroitit, njerëzit dukeshin më tepër të shqetësuar për politikat fiskale të partisë.

Pronarja e dyqanit "Roma Bakery", Amal Nemer:

“Unë mendoj se ata punojnë vetëm për njerëzit e pasur. Ata nuk tregojnë aspak interes për shtresën e mesme apo të varfër të popullsisë.”

“Unë mendoj se republikanët kërkojnë që të ketë luftra. Duket se paratë po shkojnë jashtë vendit dhe kjo më duket gabim. Unë them se të ardhurat duhet të mbeten këtu, ku ne jemi në vështirësi,” thotë Mariam Sobh.

Disa grupe të rëndësishme arabo-amerikanësh kohët e fundit kanë mbështetur kandidaturën e zotit Ron Paul për emërimin si kandidat republikan për President.

Udhëheqës të komunitetit, si Osama Siblani, thonë se kjo lëvizje është një lloj mesazhi për Partinë Republikane, që shpreh se rreth 300 milionë arabo-amerikanët janë gati për të diskutuar sërish me partinë që ata thonë se i ka braktisur.

XS
SM
MD
LG