Lidhje

Arkivi elektronik ruan fotografitë historike nga Afrika dhe Azia

  • Mike O'Sullivan

Arkivi elektronik ruan fotografitë historike nga Afrika dhe Azia

Arkivi elektronik ruan fotografitë historike nga Afrika dhe Azia

Një projekt në internet po hedh dritë mbi disa fotografi të harruara të Afrikës, Azisë dhe pjesëve të tjera të botës nga periudha kur vepronin misionarët e krishterë. Arkivi Ndërkombëtar i Fotografisë së Misionarëve përmban më shumë se 60 mijë imazhe historike, që tregojnë shkëmbimit kulturor të atyre rajoneve me perëndimin. Korrespondenti Majk O’Sallivën njofton se në disa raste, imazhet sjellin edhe njohuri befasuese.

Bashkërenduesi i projektit, sociologu Xhon Millër, thotë se në shumë vendbanime, misionarët bënë fotografi më shumë se çdokush tjetër.

“[Misionarët] qëndronin gjatë edhe në fshatra e jo vetëm në qendra administrative. Ata ishin personat që udhëtonin dhe kishin kontakte më të shumta me popullatën”.

Arkivi elektronik përmban fotografi të bëra nga misionarët nga viti 1860 deri në Luftën e Dytë Botërore.

12 arkiva nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë ofruar projektit fotografitë e tyre për përdorim të përkohshëm. Arkivi i internetit administrohet nga Qendra për Fe dhe Kulturë Qytetare dhe Biblioteka Dixhitale në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Zoti Millër thotë se fotografitë, të cilat dallojnë për nga tema dhe cilësia, zbulojnë befasi për jetën në Afrikë, Azi dhe pjesë të tjera të botës ku vepronin misionarët.

Ai thotë se një mision i krishterë që përfshinte racat e ndryshme në Afrikën e Jugut përbën një rast i tillë.

“Mendoj se nga këto fotografi, mund të shohësh se ka pasur një realitet shumëracor, një realitet të barazisë racore dhe ndërveprimit mbi një bazë barazie të institucionalizuar. Ky ishte realiteti në atë pjesë të Afrikës së Jugut nga viti 1900 deri më 1950. Është me të vërtetë domethënëse të shikosh ato fotografi, dhe pastaj të mendosh se ç’pasoi në vitet 1950 e ‘60, kur qeveria u përpoq me vetëdije të shtypte të gjitha format e barazisë”.

Ai thotë se një tjetër koleksion interesant vjen nga një misionare që dokumentoi jetën tradicionale në Afrikën Perëndimore.

“Një grua me emrin Ana Vurman punonte në Kamerun, ku dokumentoi jetën në oborret e mbretërive tradicionale”.

Zoti Millër thotë se misionarët shpesh u nisën nga perëndimi me paragjykime për njerëzit që i konsideronin si “të pafe”. Por ai thotë se misionarët shpesh mahniteshin nga ata që takonin.

“Një misionar, një nga personazhet e mia të preferuara, u shkroi eprorëve të tij në Evropë rreth vendosjes së kulturës evropiane në Afrikën Perëndimore. U tha: ‘Sa njerëz prej jush në Evropë janë me të vërtetë të lumtur me gjendjen e kulturës evropiane sot? A jeni të sigurt se doni ta eksportoni këtë traditë?”

Misionari shkruante se afrikanët tradicionalë kishin një ndjenjë më të fortë për familjen sesa gjermanët.

Zoti Millër thotë se mijëra fotografi ende nuk janë dixhitalizuar, kataloguar dhe vendosur në arkivin elektronik. Ai thotë mund të ketë miliona fotografi të misioneve të tjera nëpër zyra kishash apo në shtëpi të njerëzve. Këtë zbuloi Margaret Hollistërin, babai dhe gjyshi i së cilës ishin misionarë në Kinë dhe jetuan atje në kohë të turbullta.

Gjyshi i saj, Uatson Hejs, ishte figurë e njohur në Kinë në fillim të shekullit të XX. Ajo thotë se ai hapi një shkollë fetare atje dhe përkrahu reformimin e arsimit.

“Ai shumë herët u bë i njohur si dijetar sepse besonte se kinezët nuk duhej të mësonin anglishten për të shkuar në shkollat e misionit”.
Babai i zonjës Hollistër, Xhon Hejs, ishte gjithashtu misionar në Kinë, ku qeveria komuniste e akuzoi dhe e dënoi me pretekstin si spiun amerikan.

Por nga viti 1917 e tutje, zoti Hejs bëri fotografi në gjithë Kinë dhe zonja Hollistër ende ka qindra prej tyre, përfshirë një imazh dramatik të fëmijëve si krah pune.

“Kjo është [fotografi] e djemve që punonin në një minierë qymyri. Ata dërgonin djem të vegjël, nëntë ose dhjetë vjeç, sepse këta mund të hynin nëpër tunele të vogla”.

Zonja Hollistër është në kërkim të një arkivi për fotot e familjes.

Xhon Millër thotë se burimet e pasura të Arkivit Ndërkombëtar të Fotografive të Misionarëve mund t’i shohë kushdo në internet. Ai thotë se ato ofrojnë një dritare mbi epokën koloniale dhe i japin studiuesve mjete shtesë për të kuptuar periudhat formuese të shumë kombeve moderne.

XS
SM
MD
LG