Lidhje

Armëpushimi në Siri


Aleppo, Syria
Aleppo, Syria

Një armëpushim që hyri në fuqi mbrëmë në Siri përgjithësisht po respektohet. Disa orë pas fillimit të tij, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, deklaroi se ky “mund të jetë shansi i fundit” për të ruajtur vendin e rrënuar prej luftës civile 5-vjeçare.

“Dua të jem i qartë se megjithë dyshimet që ekzistojnë, të cilat e dimë se janë të shumta, do të ketë sfida në ditët në vijim. Të gjithë presim të ketë sfida. E megjithatë, ky plan e ka shansin të funksionojë,” tha Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Komanda ushtarake siriane njoftoi nëpërmjet televizionit se armëpushimi u zbatua në të gjithë vendin në perëndim të diellit, që përkoi edhe me festën myslimane të Kurban Bajramit, por u shpreh se rezervon të drejtën t’i kundërpërgjigjet shkeljeve të armëpushimit nga grupe të armatosura.

Marrëveshja bën thirrje për më shumë ushqime dhe barna në qytetet si Aleppo, ku lufta 5-vjeçare ka shkaktuar një krizë humanitare. Ministria e Jashtme ruse njoftoi se do të fillonte menjëherë lejimi i kalimit të ndihmave humanitare drejt qytetit Aleppo.

Në përgjithësi situata u raportua e qetë, por Sekretari Kerry u shpreh se është herët për të gjykuar efektshmërinë e marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Nëse armëpushimi do të funksionojë për rreth një javë, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të ndërmarrin sulme të koordinuara ndaj Shtetit Islamik dhe grupit militant Fronti al-Nusra.

Konflikti ka shkaktuar qindra mijëra viktima në Siri dhe mbi 12 milionë refugjatë, duke u shndërruar në një ndër krizat më të këqija humanitare.

XS
SM
MD
LG