Lidhje

Arratisen 7 të dënuar të rrezikshëm


Pjesa më e madhe ishin dënuar më burgim të përjetshëm. Ata u larguan në mbrëmje nga Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korcës. Kapet pas afër 2 orësh njëri prej të arratisurve

Në Shqipëri, në mbrëmjen e sotme, 7 të dënuar u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korcës. Ende nuk ka shumë hollësi për mënyrën se si të dënuarit, pjesa më e madhe me burgim të përjetshëm, kanë mundur të organizojnë arratisjen. Mendohet se të dënuarit kanë arritur të c’armatosin disa prej rojeve të burgut dhe më pas, të armatosur, kanë arritur të dalin jashtë mjediseve të burgut, ku kanë hipur në dy makina dhe janë larguar në drejtim të Pogradecit. Këtu, sipas mediave, ata kanë mundur të shmangin një postobllok të policisë duke i kërcënuar me armë dhe kanë vazhduar udhëtimin drejt Librazhdit. Duket se ata nuk kanë qenë të gjithë bashkë. Afro dy orë pas arratisjes, njëri prej të dënuarve me burgim të përjetshëm, nën akuzën e vrasjes kërcimit dhe rrëmbimit, Artur Gura, është arrestuar ndërsa udhëtonte me taksi.

Ministria e Brendshme njoftoi se “forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe grupeve speciale u nisën menjëherë në zonën ku mendohet se ndodhen të arratisurit, ndërsa janë informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë”. Postoblloqe janë ngritur në akset kryesore kombëtare dhe në të gjitha rrugët në zonën përreth Korcës.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka thirrur një mbledhje urgjente me kryeprokurorin Adriatik Llalla, Ministrin e Drejtësisë Nasip Naco, me Drejtorin e Përgithshëm të policisë dhe Drejtorin e Shërbimeve sekrete shqiptare.

Përmes një komunikate, Ministria e Punëve të Brendshme u bëri thirrje “të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes pasi personat e arratisur janë të armatosur dhe të rrezikshëm” e në të njëjtën kohë u kërkoi të gjithë atyre që mund të kenë informacione lidhur me këta persona dhe vendndodhjen e tyre që të njoftojnë menjëherë komisariatet e policisë.

Emrat e të arratisurve

  1. Admir Bahri Tafili,
  2. Fran Pal Marashi,
  3. Gëzim Gjergj Guri,
  4. Gëzim Ndue Toma,
  5. Reiz Namik Haxhiraj,
  6. Eduard Kujtim Lula,
  7. Artur Demir Gora - u arrestua sërish
XS
SM
MD
LG