Lidhje

Arti komunist i ish-Gjermanisë Lindore


Mijëra piktura, dikur pronë e shtetit dhe e Partisë Komuniste, presin me shpresë se mund të vlerësohen përsëri

Të harruara, madje të përbuzura për epokën që evokojnë, mijëra piktura nga ish-Gjermania Lindore komuniste ruhen brenda një ndërtese të vjetër në një fermë në lindje të Berlinit. Pikturat kanë mbetur të paprekura. Ato ishin dikur pronë e shtetit dhe e Partisë Komuniste ndërsa tani presin, me shpresë se mund të vlerësohen përsëri.

Në arkiv ka një portret tipik të Karl Marksit, themeluesit të mendimit dhe politikës socialiste.

Si gjithmonë, ai paraqitet me mjekër të madhe dhe me vështrim të rreptë, së bashku me sivëllanë e tij të filozofisë dhe revolucionit, Frederik Engels. Si autori edhe koha kur është bërë piktura janë të panjohura.

Ajo që dihet, megjithatë, është se të dyja pikturat i takojnë Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore, kur ajo sundonte në Republikën Demokratike Gjermane.

Në atë kohë, Partia Komuniste kishte pushtet të plotë mbi të gjitha aspektet e shoqërisë.

Kjo përfshinte edhe botën e artit dhe artistët duhet të krijonin vepra për shtetin dhe Partinë - shpesh piktura propagandistike të udhëheqësve komunistë.

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanive, mijra piktura dolën jashtë modës, ndërkohë që institucionet përpiqeshin të zhduknin lidhjet me të kaluarën komuniste.

Shumë prej këtyre pikturave përfunduan këtu, në arkivin e artit në Beeskow, 90 kilometra në lindje të Berlinit.

Ilona Weser është drejtore e arkivit të artit që nga viti 2008.

Ajo shpjegon dilemën me të cilën u përballën me Gjermaninë e ribashkuar.

"Pikturat që kemi këtu kanë qenë në ndërtesa publike, në shtëpitë e pushimit në selinë e partisë e kështu me radhë. Mirëpo më pas, lindi pyetja se ku duhet të shkonin këto piktura."

U vendos që të ruheshin sa më shumë prej tyre.

Në vitin 1994, një stallë në afërsi të kështjellës u shndërrua në hapësirë për ruajtjen e pikturave. Tani në depo ndodhen 23 mijë vepra arti, një koleksion i tërë.

Disa prej tyre janë propagandë e hapur, si portretet që pasqyrojnë udhëheqësin e Gjermanisë Lindore, Erich Honecker dhe atë sovjetik Mikhail Gorbachev në 40 vjetorin e themelimit të Republikës Demokratike Gjermane.

Disa janë më abstrakte dhe, nganjëherë nuk dallohen se kanë ndonjë axhendë të hapur politike.

Por sipas historianes Kristina Geisler, pothuajse i gjithë arti i Gjermanisë Lindore ishte i të ashtuquajturit realizëm socialist.

"Pra, kërkohej art realist por ky art duhet të ishte socialist në tonin e tij”.

Një numër i madh pikturash tregojnë njerëz që punojnë në miniera, në fabrika dhe në ferma. Kjo ishte tema më e zakonshme e artistëve gjermanolindorë për të mbështetur pikëpamjen se në socializëm po krijohej njeriu i ri.

Por mes mijëra pikturave në arkivin e artit, ka disa që bëjnë përjashtim. Në vend që të tregojnë punëtorë të qeshur apo udhëheqës të ashpër, ato pasqyrojnë tema më të errëta.

Në disa piktura shikon gra të lodhura, diku tjetër një njeri të ulur në kuzhinë dhe portretin e tij abstrakt me ngjyra të errëta. Këta, sipas zonjës Geisler, janë artistët që përpiqen të përdorin ato pak liri për të treguar mospajtimin me partinë në pushtet.

"Ka piktura që përshkruajnë punëtorët, kur ata janë të lodhur, për shembull pas punës, gjatë një pushimi ose kur puna ka përfunduar”.

Pjesa më e madhe e pikturave në Beeskow janë parë vetëm nga disa specialistë që vijnë këtu për vizitë.

Arkivi i artit është aktualisht në kërkim të një financimi, por duket se pak vetë të gatshëm të hedhin para për ruajtjen e artit nga një kapitull i historisë gjermane që shumë njerëz do ta harrojnë përgjithmonë.
XS
SM
MD
LG