Lidhje

20 vjetori i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik


20 vjetori i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik
20 vjetori i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik

1991 ishte viti kur marrëdhëniet strategjike Amerikano-Sovjetike morën një kthese historike. Po atë vit, ndërkohë që Bashkimi Sovjetik u shpërbë, u krijua një program special për të mbledhur dhe magazinuar arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik. Materiali në vazhdim na kthen pas tek këto zhvillime të cilat edhe sot vazhdojnë të kenë jehonë.

20 vjet më parë, në dhjetor të vitit 1991 Bashkimi Sovjetik u shpërbë.

Po atë vit, Lufta e Ftohtë mes Moskës dhe Washingtonit që filloi në fund të Luftës së Dytë Botërore kaloi përmes një transformimi historik përmes traktatit të quajtur START.

Për herë të parë në histori, dy superfuqitë ranë dakord për të pakësuar ndjeshëm armët bërthamore që mund të arrinin vendet e njëra tjetrës, si edhe raketat, avionët dhe mjete të tjera për hedhjen e armës bërthamore.

Analistja Olga Oliker e Korporatës RAND shpjegon se çfarë ndodhi në vitin 1991 që e shndërroi rivalitetin e vjetër në një sens të ri përgjegjësie të përbashkët për armët bërthamore.

“Procesi i negoiciatave ishte shenjë se njerëzit po e kuptonin sa i rendësishëm ishte traktati. Ishte diçka që popujt e të dy vendeve dëshironin. Të gjithë e kishin kuptuar se gara e armatimit kishte dalë jashtë kontrollit.”

Për disa vëzhgues, kjo shihej si reagim ndaj barrës në rritje të mangësive sovjetike. Ish Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Zbigniew Brzezinski.

“Ata nuk kishin alternativa të tjera. Gjithnjë e më shumë po e kuptonin se përsa i përket garës së armatimit, avantazhet ekonomike dhe teknologjike ishin përherë e më shumë në anën e Amerikës.”

Traktati i Pakësimit të Armëve Strategjike, START, u nënshkrua më 31 korrik 1991. Në bazë të traktatit, dy vendet binin dakord që të mos kishin më shumë se 6 mijë mbushje bërthamore dhe vetëm 1,600 mjete për hedhjen e tyre.

Sovjetikët kaluan nga kufizimi i armëve tek pakësimi i arsenaleve, sepse krejt procesi parashikonte ruajtjen e aparencave, çka për Moskën ishte me rëndësi jetike, pra për pozitën e saj ndërkombëtare. Ja ç’thotë David Smith, negociator për armatimin.

“Këto traktate, SALT dhe pastaj START i mbajtën ata në mënyrë të vazhdueshme në lojë si të barabartë me Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte më e rëndësishme sesa numri i armëve.”

Viti 1991 solli një tjetër zhvillim historik në marrëdhëniet mes superfuqive, “Programin Nunn-Lugar për Reduktimin e Përbashkët të Kërcënimit”. Amerika përdori fonde dhe personel të shumtë për të ndihmuar rivalin bërthamor, çka ishte e paimagjinueshme më parë.

“Ajo që përfshinte marrëveshja, ishte llogaritja e hollësishme e armëve bërthamore ruse dhe ruajtja e tyre që ato të mos binin në dorë të elementëve që përbënin rrezik si për Bashkimin Sovjetik ashtu edhe për Perëndimin.”

Gjatë një fjalimi në muajin nëntor, autori i aktit Nunn-Lugar, senatori Richard Lugar i përshkroi kështu rezultatet.

“Nunn-Lugar ka çaktivizuar 7,601 mbushje bërthamore në ish Bashkimin Sovjetik—mbushje strategjike të montuara në raketa, më shumë se arsenali i Francës, Britanisë dhe Kinës të marrë sëbashku. Programi ka eleminuar 2,366 raketa bërthamore, ku ishin montuar mbushjet bërthamore.”

Programit Nunn-Lugar i njihet merita se ndihmoi tre ish republika sovjetike, Bjellorusinë, Ukrainën dhe Kazakistanin, që të bëheshin vende pa armë bërthamore në vitet 90.

XS
SM
MD
LG