Lidhje

Rimëmkëmbja e Baltimores pas trazirave


Qyteti Baltimore në Meriland miratoi një fond prej 6.4 milionë dollarësh për të mbyllur një çështje gjyqësore me familjen e Freddie Gray-t. Vdekja e tij, ndërsa po transportohej me furgonin e policisë, nxiti protesta të dhunshme dhe trazira në qytet, si dhe një debat mbarëkombëtar mbi qëndrimin e policisë ndaj afrikano-amerikanëve. Po ashtu gjykata ka filluar procesin ndaj gjashtë policëve që akuzohen se janë përgjegjës për vdekjen e Freddie Gray-t.​

Sandtown-Winchester shtrihet në perëndim të Baltimores. Kjo lagje është e njohur për krimin, drogën, trazirat raciale dhe varfërinë. Shtëpitë janë të braktisura, dhe njerëzit jetojnë në banesa të subvencionuara nga shteti. Këtu gjendet edhe muri i mbuluar në grafiti mbi jetën dhe vdekjen e Freddie Gray-t. Ai vdiq një javë pasi u arrestua dhe u transportua në një furgon të policisë.

Banorët e lagjeve të tjera qendrojnë larg kësaj pjese të Baltimorës ndërsa turistët e shmangin tërësisht sepse është shumë e rrezikshme. Mike Haas jeton në Baltimore.

“Moskokëçarja për shkollimin është pjesë e kulturës. Gjimnazistët qëllonin me gurë ndaj policisë gjatë trazirave dhe ky është problemi kryesor. Fëmijët nuk janë shkolluar dhe nuk po mësojnë të ndajnë të mirën nga e keqja.”

Të njëjtin mendim ndan edhe Chelsea Monae:

“Shumë njerëz nuk janë të përfshirë në qeverinë lokale dhe anasjelltas qeveria nuk e konsideron veten pjesë të komunitetit.”

Shanset e pakta për shkollim, mosbesimi ndaj policisë dhe papunësia e lartë janë disa nga shkaqet për krime të shumta dhe shtimit të vrasjeve në Baltimore. Për këto arsye, Baltimora njihet si një prej qyteteve më të rrezikshme në Shtetet e Bashkuara. Profesori i Universitetit Towson, Daraius Irani, thotë se problemi i ka fillesat 70 vjet më parë.

“Zezakët nuk kishin të drejtë të blenin shtëpi në disa lagje. Ata nuk ishin në gjendje të krijonin ekonomi për familjet e tyre sikurse familjet e bardha.”

Në vitet 1960-të, Baltimora u karakterizua nga largimi i të bardhëve dhe shkatërrimi i sistemit arsimor. Në vitet ’70 - ‘80, qyteti humbi një pjesë të madhe të bazës industriale. Profesori i Universitetit Towson, Daraius Irani:

“Kishim njerëz të pashkolluar dhe papunësi. Pikënisja që rezultoi në vazhdimin e varfërisë për disa gjenerata familjesh.”

Gjurmët e trazirave të fundit janë ende të freskëta. Dritaret e dyqaneve të mbyllura dhe ndikimi i përhapur përtej kësaj zone. Ekonomistët thonë se trazirat patën një efekt tejet shkatërrues për ekonominë e qytetit ku 400 biznese pësuan dëmtime ndërsa industria e turizmit sapo ka filluar ta marrë veten.

Për të nxitur rimëkëmbjen, qeveria lokale po ofron hua pa interes për bizneset e dëmtuara. Këtu nuk përfshihen 23 dyqane alkooli të dëmtuara. Kryetarja e bashkisë, Stephanie Rawlings-Blake, thotë se dyqanet e dëmtuara të pijeve alkoolike nuk janë në përputhje rregullat e shitjes në zonat e banimit.

“Sfida me këto dyqane qëndron se ishin lejuar prej kohësh të vepronin në zonat e banuara që nga vitet 80-të. Disa argumentojnë se pas trazirave është shansi që ato të mos shtrihen në zonat e banuara”, thotë profesori Darius Irani.

Këtë muaj Merilandi u bë shteti i parë që kufizon policinë që të përdorë racën, etninë apo orientimin seksual për të ndaluar perssona të dyshimtë. Disa thonë se kjo lëvizje vjen falë Freddie Gray-it, vdekja e të cilit ndërgjegjësoi publikun për çështje të tilla.

XS
SM
MD
LG