Lidhje

Bandat kriminale kthejnë pjesë të Meksikës në zonë lufte


Bandat kriminale kthejnë pjesë të Meksikës në zonë lufte
Bandat kriminale kthejnë pjesë të Meksikës në zonë lufte

Ndërsa krimi është një shqetësim i madh në kryeqytetin e vendit, Mexico City, njerëzit ndjehen të shkëputur nga ajo që po ndodh në kufirin verior apo në zona të tjera të pllakosura nga dhuna.

Në pjesën qëndrore të vendit nuk ka patur dhunë në përgjithësi, por në veri numri i vdekjeve është tronditës, thotë Valentina banore e kryeqytetit.

Me vrasjet brutale dhe të shtënat që janë bërë pjesë normale e jetës në disa pjesë të vendit, analistja e sigurisë Ana Maria Salazar thotë se e gjithë Meksika është në rrezik.

Njerëzit ndonjëherë mendojnë se unë e ekzagjeroj kur them se Meksika është në luftë, por ka pjesë të vendit që janë në kushte lufte.

Ndërsa disa meksikanë kritikojnë luftën e presidentit Calderon mbi trafikantët e drogës për rritjen e dhunës, zonja Salazar thotë se atij i duhej të vepronte.

Kur e mendon sa të rrezikshme janë këto organizata dhe sa mirë të armatosura dhe të organizuara janë, qeveria meksikane nuk kishte shumë opsione.

Një zonë e kufirit ku strategjia e presidentit po tregon rezultate është qyteti Tijuana, në kufi me San Diegon në Kaliforni.

Dhuna është ulur aty ndërsa policia ka rimarrë kontrollin.

Banori i Tijuanës Gerardo Mora, që po viziton kryeqytetin me gruan e tij, i jep meritën bashkëpunimit mes niveleve të ndryshme të qeverisë dhe policisë.

Për ne, ajo që funksionoi është se policia lokale, shtetërore, agjentët federalë dhe guvernatori punuan së bashku si një grup.

Por ai shton, se banorët duhet të bëjnë pjesën e tyre duke raportuar aktivitetet kriminale tek policia.

Nëse nuk raporton, ata nuk mund të të ndihmojnë. Në Tijuana banorët filluan të raportonin. Më parë ata kishin frikë. Por tani është ndryshe, në se diçka ndodh ata njoftojnë policinë.

Por korrupsioni i gjerë zyrtar ka dekurajuar shumë meksikanë që t’i besojnë policisë dhe përpjekjet për të ç’rrënjosur korrupsionin dhe për të pakësuar krimin kanë bërë pak përparim.

Megjithatë Ana Maria Salazar thotë se njerëzit duhet të jenë të duruar.

Çdo ndikim nga reformat, përsa i takon pakësimit të dhunës në këtë vend, do të kërkojë kohë.

Me më pak se dy vjet nga përfundimi i mandatit, presidentit Calderon nuk i ka mbetur shumë kohë dhe Ana Maria Salazar thotë se suksesi i tij do të varet nga niveli i mbështetjes që ai do të marrë nga vendi në kufirin verior.

Pyetja është çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar qeverinë e Meksikës, për të ndihmuar popullin meksikan të përballet me këto organizata. Po ashtu Shtetet e Bashkuara nuk mund të supozojnë se kjo lloj dhune nuk do të përhapet përtej kufirit.

Por Meksika është një vend sovran dhe Shtetet e Bashkuara kanë pak mundësi për të ndihmuar përtej mbështetjes me materiale dhe me trejnime.

XS
SM
MD
LG