Lidhje

Banka Evropiane gati të blejë bono thesari


Banka Qendrore Evropiane pritet të ndërhyjë këtë javë duke blerë bono thesari të qeverive të zhytura në borxhe të 17 vendeve të eurozonës, për të lehtësuar koston e huave të tyre.

Presidenti i bankës, Mario Draghi u tha ligjvenësve evropianë të hënën, se blerja e bonove të thesarit, që duhen paguar pas të paktën 3 vjetësh, nuk shkel rregullat e Bashkimit Evropian. Zyrtarët e Bankës Qendrore pritet të takohen të enjten dhe mund të njoftojnë planin për blerjen e borxheve.

Udhëheqësit evropianë janë ndeshur me vështirësi për t’i dhënë fund krizës së borxheve, që tani ka hyrë në vitin e tretë. Greqia, Irlanda dhe Portugalia janë detyruar të kërkojnë ndihma ndërkombëtare financiare, në një kohë që kostot e huave të Spanjës dhe Italisë, dy vende të prekura rëndë nga borxhet, janë shtuar pas shitjes së bonove të thesarit në tregjet ndërkombëtare. Interesat për bonot e tyre të thesarit mund të ulen, në se Banka Qendrore Evropiane vendos të blejë borxhet e tyre.

Disa udhëheqës evropianë po kryejnë takime të shumta këtë javë për të diskutuar rreth të ardhmes ekonomike të kontinentit. Të martën presidenti francez Francois Hollande, u takua në Romë me kryeministrin italian Mario Monti.

Dje firma financiare Moody e uli vlerësimin për të ardhmen ekonomike të Bashkimit Evropian, nga i qëndrueshëm, në negativ. Ky vlerësim u bazua në parashikimin negativ për Gjermaninë, Francën, Britaninë dhe Holandën, që së bashku përbëjnë gjysmën e të ardhurave buxhetore të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG