Lidhje

Banka Qendrore amerikane: Ekonomia e SHBA-së është në rritje të "moderuar"


Banka Qendrore amerikane tha se ekonomia e SHBA-së është në rritje të "moderuar" dhe se shkalla e lartë e papunësisë në vend mund të bjerë nën 8 për qind, në fund të këtij viti.

Pas një takimi dy-ditor në Uashington të vendim-marrësve të saj kryesorë, Rezerva Federale vendosi të mos marrë masa të reja stimuluese për të rritur mundësitë ekonomike, në ekonominë më të madhe në botë. Banka tha se pret që rritja ekonomike të "mbetet e moderuar" gjatë muajve të ardhshëm dhe pastaj "të bjerë gradualisht."

Banka Qendrore tha se do të vazhdojë të mbajë të pandryshuar normën e interesit, e cila është në një nivel historikisht të ulët prej 0 deri në 0,25 për qind, dhe se pret që të mbajë të njëjtën normë interesi të paktën deri në fund të vitit 2014.

Banka tha se tregu i punës është përmirësuar, edhe pse përqindja e papunësisë – që në mars ishte 8.2 për qind – mbetet e lartë. Kryetari i Rezervës Federale Ben Bernanke tha në një konferencë shtypi se ekspertët e institucionit të tij mendojnë se ndërkohë që ekonomia përmirësohet, shkalla e papunësisë mund të bjerë në një nivel prej 7.8 deri në 8 për qind në fund të këtij viti dhe se mund të përmirësohet edhe më shumë në dy vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG