Lidhje

Bashkimi Afrikan dhe SHBA kundërshtojnë idenë për ndarjen e pushtetit në Bregun e Fildishtë


Bashkimi Afrikan dhe SHBA kundërshtojnë idenë për ndarjen e pushtetit në Bregun e Fildishtë
Bashkimi Afrikan dhe SHBA kundërshtojnë idenë për ndarjen e pushtetit në Bregun e Fildishtë

Zëdhënësit e Bashkimit Afrikan dhe të Shteteve të Bashkuara thonë se është e papranueshme që për t’i dhënë fund krizës politike në Bregun e Fildishtë të synohet ndonjë marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Afrikan, Raila Odinga, tha të martën se humbësi i zgjedhjeve duhet të pranojë “vendimin e popullit”.

Veçmas, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Pi Xhej Kraulli, tha se Presidenti Loran Bagbo duhet të pranojë se ka humbur zgjedhjet dhe të dorëzojë pushtetin.

Një zëdhënës i Presidentit Bagbo i tha Zërit të Amerikës se udhëheqësi i Bregut të Fildishtë i kishte kërkuar Bashkësisë Ekonomike të Shteteve të Afrikës Perëndimore, të njohur si ECOWAS, që të rinumëroheshin votat e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Zoti Bagbo këmbëngul se ka fituar dhe nuk pranon të heqë dorë nga pushteti.

ECOWAS njoftoi më parë se zoti Bagbo kishte pranuar të bisedonte pa kushte për t’i dhënë “fund në mënyrë paqësore” mosmarrëveshjes. Organizata tha po ashtu se presidenti në pushtet qe zotuar të largonte bllokadën rreth hotelit në Abixhan, ku është ngujuar për javë të tëra rivali i tij politik, Alasan Uatara.

Në kumtesën e bllokut të Afrikës Perëndimore thuhet se zoti Uatara do t’i sigurojë zotit Bagbo një “largim të denjësishëm” nëse udhëheqësi në pushtet pranon humbjen.

XS
SM
MD
LG