Lidhje

Bëhet përparim në luftën kundër SIDA-s, ende mbetet shumë punë për t’u bërë


Bëhet përparim në luftën kundër SIDA-s, ende mbetet shumë punë për t’u bërë
Bëhet përparim në luftën kundër SIDA-s, ende mbetet shumë punë për t’u bërë

Ndërsa komunitetet në mbarë globin kujtojnë sot Ditën Ndërkombëtare të SIDA-s, shkalla e infeksioneve nga virusi HIV në disa disa vende të botës po rritet, ndërsa në disa rajone të tjera qëndron në nivele të njëjta e të larta. Në të njëjtën kohë, strategji parandaluese më efektive dhe përparimi drejt një vaksine kundër HIV-it po ngjallin shpresa të reja për atë që Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton e quajti kohët e fundit krijimi i "një brezi i çliruar nga SIDA".

“Objektivi për një brez të çliruar nga SIDA mund të jetë ambicioz, por është i mundur”, tha Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton gjatë një forumi në Uashington. Ajo u bëri thirrje ekspertëve të shëndetsisë, shkencëtarëve dhe përkrahësve të kësaj kauze që të dyfishojnë përpjekjet e tyre.

Rreziqet janë të mëdha. SIDA, sëmundje e shkaktuar nga virusi HIV, ka shkaktuar vdekjen e 30 milion njerzve gjatë 30 vjetëve të fundit. Rreth 34 milion njerëz të tjerë në gjithë botën jetojnë me këtë virus.

Shkencëtarët, që punojnë për parandalimin e kësaj epidemie, thonë se lufta kundër SIDA-s është e vështirë sepse virusi që e shkakton atë është i ndërlikuar dhe i paepur.

“Fakti është se sapo njeriu infektohet nga HIV-i, ky virus bëhet pjesë e materialit gjenetik të të infektuarit, duke u shkrirë me të, dhe prandaj është e shumë e vështirë që të zhduket”.

Rick King nën-president i qendrës së vaksinës në Nismën Ndërkombëtare të Vaksinës për SIDA-n, një partneritet publiko-privat, thotë se një vaksinë e efektshme kundër HIV-it mund të jetë gati brënda 5 vjetësh, megjithëse ende ka pengesa.

“Miliona viruse qarkullojnë njëkohësisht dhe ato janë mjaft të ndryshme nga njeri tjetri saqë duhet një vaksinë që mbulon të gjitha llojet e viruseve, pra që i bllokon të gjitha ato”.

Në një studim të fundit të Kombeve të Bashkuara thuhet se programet e parandalimit dhe kurat e ndryshme kanë ulur vdekjet nga SIDA si dhe shkallën e infeksionit nga HIV-i. Por në disa rajone, thotë drejtori ekzekutiv i agjencisë së OKB-së për SIDA-n, Michel Sidibe, statistikat tregojnë se kjo epidemi po përhapet më shumë.

“Rajonet me probleme më serioze vazhdojnë të jenë Evropa Lindore dhe Azia Qendrore, ku, sipas raportit, gjatë 10 vjetëve të fundit, janë shtuar infeksionet me 250 për qind”.

Dr. Anthoni Fauçi, drejtor i Institutit Kombëtar Amerikan të Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive, thotë se ekziston një shpjegim i thjeshtë i ndryshimeve të mëdha nga një rajon në tjetrin: sjelljet tepër të rrezikshme të vetë njerzve.

“Përdorimi i drogave me inxheksion, shitja e seksit për drogë janë mes formave më të rrezikshem të përhapjes së virusit HIV. Dhe si rezultat përhapja e infeksioneve me HIV në disa vende është në rritje dhe në disa vende të tjera është në rënie”.

Zoti Sidibe i Agjencisë së OKB-së për SIDA-s, thotë se Afrika e Jugut është shembull i mirë i një vendi që përpiqet të vejë nën kontroll këtë sëmundje.

“Afrika e Jugut analizoi më shumë se 14 milion njerëz dhe uli çmimin e ilaçit me 52 për qind, ndërkohë që ngriti numrin e njerzve që i nënshtrohen kurave”.

Ndërsa ekzpertët e shëndetit publik përshëndesin përparimin e bërë drejt parandalimit të virusit HIV dhe SIDA-s, që ai shkakton, ata thonë se do të ketë nevojë për më shumë mbështetje nga vendet donatore dhe një përdorim më të mirë të burimeve në mënyrë që t’i jepet fund epidemisë dhe që të përmbushet objektivi i krijimit të "një brezi të çliruar nga SIDA".

XS
SM
MD
LG