Lidhje

Biden, ngushëllime familjeve të viktimave nga sulmet e NATO-s në 1999


Nënpresidenti Joe Biden ofroi fjalë ngushëllimi për familjet e personave të vrarë në luftrat e viteve 1990 në Ballkan, përfshirë edhe ata që mbetën të vrarë nga goditjet e NATO-s ndaj Serbisë në 1999. Zoti Biden i bëri komentet në ditën e parë të turneut të tij me ndalesa në Serbi dhe Kosovë.

Vizita e Nënpresidentit amerikan Joe Biden synon të nxisë Kosovën dhe Serbinë të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre dhe të riparojnë plagët që ka lënë lufta.

“Gjatë tre dekadave të fundit e kam parë Kroacinë si dhe të gjithë fqinjët tuaj, Kosovën, Malin e Zi dhe të gjitha vendet e tjera në këtë rajon, si një element thelbësor i politikave që duhet të ndjekim në Evropë, në një kontinent që për herë të parë është i pacënuar, i lirë dhe i bashkuar. Serbia është një vend kyç për këto politika. Nëse Serbia ecën mirë ekonomikisht dhe politikisht, i gjithë rajoni ecën mirë,” tha zoti Biden gjatë qëndrimit në Beograd.

Bombardimet e 1999 nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara ndalën fushatën serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, duke i dhënë fund edhe sundimit të Kosovës nga Serbia.

Zoti Biden, gjatë asaj kohe senator, ishte shumë aktiv në thirrjet për goditje të NATO-s kundër Serbisë. Ai është shprehur një herë se puna që ka bërë për të ndalur luftrat në Ballkan është një nga momentet që i jep më shumë krenari në karrierën e tij të gjatë politike.

Zoti Biden u prit në Beograd nga qindra ultra-nacionalistë serbë që brohorisnin parulla pro-kandidatit republikan Donald Trump. Në Serbi mbetet e lartë ndjenja e mërisë ndaj Shteteve të Bashkuara për goditjet e NATO-s në 1999. Ndërsa shqiptarët në Kosovë i shohin Shtetet e Bashkuara si shpëtimtarin e tyre.

XS
SM
MD
LG