Lidhje

Zgjerohet bashkëpunimi energjitik Shqipëri - Kosovë


Shqipëria dhe Kosova po zgjerojnë bashkëpunimin në fushat industriale di gazi, energjia elektrike, nafta dhe mineralet në përpjekje për të arritur një rol me rëndësi në tregun energjitik rajonal.

Brenda muajit qershor përfundon ndërtimi i linjës energjitike së interkoneksionit Shqipëri - Kosovë.

Bashkimi i rrjeteve elektrike hap mundësi të reja për të haronizuar burimet energjitike të dy vendeve dhe për të ngritur kapacitete të përbashkëta prodhuese të energjisë.

Sipas ministrit të energjisë dhe industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ky është i pari ndërtim me rëndësi strategjike, sepse lidh të dy rrjetet dhe hap mundësi të mëdha për shkëmbime energjitike dhe për të projektuar investime të përbashkëta.

Organizata e biznesit Alb-konfindustria dhe ministria e energjisë dhe industrisë zhvilluan sot forumin mbi projektet e reja të menaxhimit të sektoreve strategjikë Shqipëri - Kosovë.

Drejtuesi i Alb-konfindustrias, Gjergj Buxhuku, tha se qeveritë duhet të jenë më aktive në gjetjen e burimeve financiare dhe projekteve për zhvillim.

Deri tani, sipas tij, ato qëndruan pasive, në pritje të propozimeve nga privati, të cilët kërkonin priatizime klasike të ndërmarrjeve shtetërore, koncensione ose Partneritete Publik-Privat problematike.

Nga ana e saj Kosova është e përqëndruar në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjitike dhe në rigjenerimin e centraleve energjitike ekzistuese.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci tha se Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të luajnë një rol me rëndësi në tregun energjitik rajonal.

Investimet rritin edhe sigurinë e rrjetit energjitik të Ballkanit, duke shtuar në të Greqinë, Kroacinë dhe Malin e Zi.

Fuqizimi i rrjetit elektrik dhe ardhja e linjave të gazit përmes TAP-it me investim rreth 1 miliardë dollarë pritet të forcojë ekonominë e rajonit, krahas naftës vendase, bashkohen pra 3 burime energjie në mbështetje të ekonomisë.

Shqipëria dhe Kosova kanë aplikuar në Bashkimin Europian për fonde dhe së bashku po kryejnë studimin e fizibilitetit për ndërtimin e gazsjellësit mes dy vendeve, në mënyrë që edhe Prishtina të jetë pjesë e rrjetit të gazit në rajon.

XS
SM
MD
LG