Lidhje

Bosnje Hercegovina gjithnjë e më e preferuar nga turistët

  • Zëri Amerikës

Sarajeva

Sarajeva

Bosnje Hercegovina njihet më tepër për shkak të konfliktit tre vjeçar gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet ’90, por ky shtet ballkanik është duke u shndërruar në një nga destinacionet turistike kryesore te Evropës.

Ashtu si Kroacia fqinje, Bosnje Hercegovina po ndërton mjaft mirë reputacionin e një vendi shumë interesant për t’u vizituar.

Një numër gjithmonë e më i madh njerëzish po shkojnë të përjetojnë kënaqësitë e kryeqytetit të saj Sarajevë, që kur ajo u shpall si një ndër dhjetë qytetet më të mirë për t’u vizituar, nga libri mbi turizmin “Udhëtimet më të mira të vitit 2010” i shoqërisë Lonely Planet.

Bosnja qëndron në udhëkryqin midis kulturave lindore dhe perëndimore.

Pjesa e vjetër e Sarajevës, e quajtur Basçarsija, ka ende ndërtesa që datojnë nga perandoria turke. Sarajeva u ndërtua nga otomanët në shekullin e 14-të, kur vendi u pushtua prej tyre.

Turistja italiane Natalia Mandeli thotë se i bën shumë përshtypje shumëllojshmëria e qytetit:

“Është qytet shumë i bukur. Banorët thonë se është “Jeruzalemi i Evropës” dhe unë mendoj se e kanë fjalën për fetë e shumta që bashkëjetojnë këtu, dhe mua ky aspekt më pëlqen shumë”.

Qyteti është i famshëm për shumëllojshmërinë e tij fetare, pasi këtu jetojnë së bashku myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe hebrenj.

Zëdhënësja e Shoqatës për Turizmin e Sarajevës, Asja Haxhiefendik-Mesiç është krenare për qytetin e saj. Ajo thotë se e ardhmja e turizmit në Bosnje Hercegovinë duket mjaft premtuese.

“Parashikimet e Federatës Botërore të Turizmit thonë se Bosnja do të jetë së shpejti midis tre destinacioneve turistike kryesore, me rritjen më të lartë të numrit të turistëve”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 180 mijë turistë nga 114 vende të ndryshme të botës vizituan kryeqytetin boshnjak në gjashtë muajt e fundit të këtij viti. Të ardhurat nga turizmi i Sarajevës për vitin 2011 kapën shifra rekord, duke kaluar kështu edhe ato të regjistruara për vitin 1984, kur në qytet u zhvilluan Lojrat Olimpike Dimërore.

Përgjegjësja e hotelit “Butik 36” Andrea Softiç thotë se ajo është shumë e lumtur për këtë përmirësim të sezonit turistik.

"Me kënaqësi të madhe mund të them se ne kemi një bum turistik këtu në Sarajevë, por mund të thuhet edhe në të gjithë Bosnjen. Ky sezon, që fatkeqësisht mbaroi, ishte në mënyrë të veçantë një sukses, dhe ne patëm shumë turistë nga të gjithë kontinentet, nga e gjithë bota."

Muzeu i qytetit ndodhet në vendin ku perandori austro-hungarez Franz Ferdinand u vra në vitin 1914. Vrasësit e tij, një grup të rinjsh serbë të njohur me emrin “Bosnja e Re”, u kapën menjëherë. Kjo vrasje ishte ngjarja që shkaktoi fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Një shprehje thotë se “kush pi ujë burimi në Basçarsija, nuk e lë kurrë Sarajevën”. Edhe tani turistëve u pëlqen aty të provojnë ujin e burimit.

Një nga njerëzit që kanë pirë këtë ujë është edhe Meri Beth Niksiç, një amerikane e martuar me një boshnjak 10 vjet më parë. Ajo me të shoqin u takuan në Sarajevë. Edhe pse tani ata jetojnë në Pitsburg të Pensilvanisë, ajo thotë se ata kthehen aty çdo vit.

“Është një mrekulli. Ndërtesat për shembull: disa prej tyre janë ato Austro-Hungareze dhe pastaj është Basçarsija me stilin turk, dhe gjithçka është e ndërthurur bashkë. Pastaj ka edhe ushqime të ndryshme dhe aroma të ndryshme...”

Në Sarajevë, turistëve u pëlqen të shijojnë ushqimin vendas, në mënyrë të veçantë një pjatë të quajtur “çevapçiçi”, shumë e ngjashme me qoftet, e cila atje shërbehet zakonisht e shoqëruar me pite e qepë.

XS
SM
MD
LG