Lidhje

Sistemi i vizave në Britani në fokus

  • Henry Ridgewell

Historia e një punonjësi në pallatin mbretëror të Buckinghamit, i cili luajti rol të rëndësishëm në njoftimin e lindjes së djalit të çiftit princëror javën e kaluar, ka ndezur një debat mbi emigracionin dhe vizat në Britani.

Miliona njerëz në botë ndoqën njoftimin zyrtar për lindjen e princit George kur u vendos jashtë Pallatit të Buckinghamit javën e shkuar.

Por, pak nga ata e dinin historinë e Badar Azimit, punonjësit të pallatit të cilin mund ta shihni këtu në të djathtë. Ai u rrit në një jetimore në lagjet e vrafëra të Kalkutës në Indi, pastaj ndoqi universitetin në Skoci, dhe më së fundmi u pranua të punojë për familjen mbretërore.

Por vetëm disa ditë pas ngjarjes së madhe për të, Badar Azimi u kthye në Indi sepse i mbaroi kontrata e punës dhe iu refuzua kërkesa për zgjatjen e vizës.
Kjo histori e ka vënë në qendër të vëmendjes sistemin e vizave të Britanisë.

Pas premtimeve për të trajtuar çështjen e emigracionit, vitin e shkuar qeveria vuri kufizime sipas të cilave studentët mund të qëndrojnë në Britani në qoftë se ata gjejnë një vend pune dhe nëse fitojnë të ardhura të mjaftueshme.
Ndër fatlumët ishte studenti indian Arjun Sathe, i cili gjeti punë pas diplomimit nga shkolla e biznesit.

"Të gjithë e nënvlerësojnë ngurrimin e punëdhënësve për të sponsorizuar një të diplomuar. Dhe thjesht njerëzit nuk prisnin që kjo të ishte një gjë kaq e vështirë,"- thotë Arjun.

Në një vizitë në Delhi vitin e kaluar, kryebashkiaku i Londrës Boris Johnson i kritikoi masat kufizuese:

"Ne duhet të garantojmë që sistemi i vizave të mos jetë pengesë për studentët e huaj. Sa i përket kërkesave të tjera, si nevoja për të patur një rrogë të caktuar para se të lejohen të qëndrojnë në vend, mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos ndërmarrim veprime që i pengojnë studentët e huaj."

Qeveria britanike thotë se kufizimet janë të nevojshme për të parandaluar abuzimet me sistemin e vizave studentore. Por shumë biznese britanike i kanë kritikuar ndryshimet. Universitetet vlerësojnë se tarifat e studentëve të huaj kapin vlerën e 3.8 miliardë dollarëve.

Zonja Nicola Dandridge, shefe ekzekutive e Universities UK, thotë se Britania humbet nga këto kufizime.

“Këta janë njerëz të aftë, dhe ne duam që shumica e tyre të qëndrojë në vend dhe të plotësojnë vendet e punës me kualifikime të larta. Pra, bëhet fjalë për humbje të talentit në Britani që nuk është gjë e mirë për ne."

Ndërkohë Britania po planifikon një program për të detyruar vizitorët nga gjashtë vende – India, Pakistani, Bangladeshi, Sri Lanka, Nigeria dhe Gana – të paguajnë 4500 dollarë garanci për lëshimin e vizës.

Në një deklaratë qeveria tha se “në planin afatgjatë, ne jemi të interesuar për një sistem garancish që parandalon qëndrimin më shumë se duhet të vizitorëve dhe mbulon shpenzimet nëse një i huaj shfrytëzon shërbimet tona publike.”
India e ka quajtur masën një hap prapa.



XS
SM
MD
LG