Lidhje

Britania në bisedime me opozitën siriane


Britania po zhvillon sot në Londër bisedime me udhëheqësit e opozitës siriane, duke thënë se duhet të mësojë më shumë rreth planeve të opozitës përpara se ta njohë zyrtarisht këtë grup.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague i tha BBC-së përpara takimit me udhëheqësin e ri të opozitës siriane, klerikun musliman Mouaz al Khatibi, dhe përfaqësues të tjerë, se ai dëshiron të dëgjojë më shumë rreth mbështetjes që opozita siriane ka brenda Sirisë. Ai tha gjithashtu se ai do të dijë se si do të përfshihet pakica kurde në qeverinë e opozitës dhe se cilët janë kandidatët e mundshëm për poste të veçanta.

Sekretari Hague tha se Britania do të vendosë në ditët e ardhshme nëse do të njohë zyrtarisht opozitën e Sirisë.

Bisedimet e sotme pasojnë vendimin e djeshëm të ministrit të jashtëm turk Ahmet Davutoglu i cili në emër të qeverisë së tij njohur zyrtarisht Koalicionin Kombëtar të Sirisë si “përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit të Sirisë”. Të mërkurën Franca u bë vendi i parë perëndimor që njohu koalicionin sirian.

XS
SM
MD
LG