Lidhje

Bruksel, gati paketa e re për Greqinë

  • Zëri Amerikës

Bruksel, gati paketa e re për Greqinë

Bruksel, gati paketa e re për Greqinë

Ministrat e financeve të Eurozonës pritet të miratojnë një paketë të re prej 171 miliard dollarësh për Greqinë në takimin që po zhvillojnë në Bruksel. Kjo është paketa e dytë e shpëtimit financiar për Greqinë brenda dy vjetësh.

Presidenti i Eurogrupit, Zhan Klod Junker, tha se shpresonte që këto të ishin konsultimet e fundit.

"Pala greke ka përmbushur shumë nga kushtet që ne kishim kërkuar. Jam i mendimit se sot ne duhet të vendosim sepse nuk kemi më kohë."

Ministri gjerman i financave Wolfgang Schauble tha se mbeteshin disa hollësi për t’u sqaruar:

"Kemi nevojë për disa sqarime të fundit rreth pjesmarrjes së kreditorëve privatë, rreth një programi që do të sigurojë se borxhi grek do të pakësohet.”

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner tha dje se Greqia ka ndërmarrë një paketë shumë të fuqishme dhe të vështirë reformash që meritojnë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Ai tha se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Fondin Monetar Ndërkombëtar ta mbështesin kredinë për Greqinë.

Qeveria greke përmbushi javën e kaluar kërkesat e Bashkimit Evropian dhe miratoi një raund të ri masash shtrënguese që përfshijnë shkurtimin me 22 përqind të pagës minimale dhe eliminimin e 15 mijë vendeve të punës në sektorin publik.

Greqia thotë se pa paketën e shpëtimit, nuk do të jetë në gjendje t’u paguajë investitorëve këstin prej 19 miliard dollarësh, kur bondet qeveritare të maturohen muajin e ardhshëm. Veç paketës ndërkombëtare të shpëtimit, qeveria greke është pranë përfundimit të negociatave me kreditorët privatë për të përgjysmuar borxhin që u ka atyre.

Analistët kanë paralajmëruar se nëse Greqia nuk e paguan dot këstin muajin e ardhshëm, kjo do të kishte pasoja katastrofike për eurozonën dhe mund të çojë në një rënie të ndjeshme të ekonomisë botërore.

XS
SM
MD
LG