Lidhje

Brukseli nuk i hap dritën jeshile Shqipërisë

  • Armand Mero

Brukseli nuk i hap dritën jeshile Shqipërisë

Brukseli nuk i hap dritën jeshile Shqipërisë

Vendimi i sotëm i Komisionit europian për Shqipërinë për të mos rekomanduar hapa të tjerë përpara në procesin e përafrimit me Bashkimin europian e duke mos i dhënë për të dytin vit radhazi vendit statusin e Kandidatit për anëtar ishte i pritshëm dhe nuk ishte surprizë për askënd.

Për të gjithë ishte e qartë se 12 objektivat e përcaktuar një vit më parë nuk ishin përmbushur, aq më tepër ato që kishin të bënin me kriteret politike, kur situata politike thuajse ka mbetur e njejtë. Pikërisht kjo gjendje e skenës politike shqiptare ka qenë, sic u shpreh dhe komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle, pengesë për ecjen përpara:

"Në Shqipëri përparimi është penguar nga vazhdimi i ngërcit politik dhe zhvillimet e tjera konfrontuese. Kohët e fundit ka patur sinjale pozitive se partitë politike duan të rinisin bashkëpunimin. Kjo është një nevojë urgjente për të rivendosur dhe mbajtur nje nivel bashkëpunimi që do të lejonte përpairmin e vendit në rrugën e integrimit. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë të gjitha palët që të tejkalojnë mosbesimin personal dhe të gjenden bazat, për qeverinë që të tregojë aftësinë për të krijuar kushtet për një proces gjithëpërfshirë integruese dhe opozitën që të jetë një partner konstruktiv në këtë proces".

Sot Komisioni europian prezantoi edhe raportin për Shqipërinë, një dokument prej disa dhjetra faqesh i cili merr në analizë të gjithë aspektet e jetës politike dhe ekonomike të vendit, duke u fokusuar në vlerësimin e përparimit në përmbushjen e 12 objektivave të përcaktuara nga Komisioni.

Një vend i vecantë i lihet zgjedhjeve të 8 majit për pushtetin vendor. Në Raport shkruhet se “në përgjithësi, megjithë një numër aspektesh pozitive, si konkurrueshmëria e procesit, përgatitjet teknike transparente, zhvillimi përgjthësisht i mirë në ditën e votimit, një proces pozitiv numërimi e një mbulimi pluralist nga mediat, zgjedhjet, të cilat janë përcaktuar si një prioritet kyc në Opinion, arritën vetëm pjesërisht standartet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Vlerësimi për zgjedhjet citon raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë të Osbe/Odihr, dhe problemet e konstatuara prej tyre, vecanërisht për procesin në Tiranë, ku përmenden “vendimet e KQZ të marra në linjë politike, me mungesë arsyetimi dhe koherence”, thekson Raporti. “Rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duhet të përbëjnë një prioritet për institucionet shqiptare dhe klasën politike”, thuhet më tej. Reforma zgjedhore, “si një prioritet kyc ka ngecur në vend”, theksohet në dokumentin e Brukselit.

Përsa i përket vlerësimeve mbi Parlamentin dhe situatën politike, Raporti nënvizon se “megjithëse ka disa përmirësime në praktikat dhe rregullat parlamentare, si dhe një rritjeje të kapaciteteve administrative, aktiviteti i parlamentit në funksionet legjislative dhe të kontrollit, i cili është një nga prioritetet kyce në Opinion, mbetet i pamjaftueshëm”.

Në raport vërehet se “ngërci politik, ngjarjet e 21 janarit dhe kundërshtitë për zgjedhjet në Tiranë, kanë penguar si punën e parlamentit ashtu dhe dialogun politik të nevojshëm dhe konstruktiv. Ngërci politik ka penguar arritjen e konsensusit të nevojshëm për zbatimin e reformave të rëndësishme për integrimin europian.

Bojkoti i pjesëshëm i opozitës pengoi punën e parlamentit dhe miratimin e ligjeve me tre të pestat. Funksionimi i duhur i parlamentit, i bazuar në një dialog politik konstruktiv mes palëve, si një nga prioritetet kyce të Opinionit, nuk është garantuar ende”, lexohet në raport, ndërsa vërehet se “parlamenti nuk siguroi seanca dëgjimore dhe votim të rregullt në emërimet e anëtarëve të gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë, e cila gjithashtu përbën një tjetër prioritet kyc”.

Përsa i përket qeverisjes vlerësohen “përpjekjet e konsiderueshme të bëra si nga ekzekutivi ashtu dhe nga komisioni parlamentar i integrimit lidhur me reformat e kërkuara në procesin e integrimit. Cilësia e projektligjeve dhe diskutimet me palët e interesuara kërkojnë përmirësime të mëtejshme”, vëren Raporti.

Përparim i kufizuar vlerësohet në ecurinë për administratën publike. “Hapa thelbësore në reformën e administratës publike, përfshirë ligjin e shërbimit civil nuk janë përmbyllur” ndërsa vlerësohet se “zbatimi i legjislacionit aktual dhe akteve administrative mbetet i dobët. Përshtatja e legjislacionit të rëndësishëm ka mbetur pezull dhe varet nga tejkalimi i ngercit politik”.

Përparim i kufizuar edhe në reformat për sistemin gjyqësor, që “përbëjnë një tjetër prioritet kyc”. “Legjislacioni i rëndësishëm që kërkon tre të pestat e votave në parlament, si ligji për gjykatën administrative apo ndryshime në Kodin penal ka mbetur pezull. Nuk janë bërë hapa për të luftuar korrupsionin në gjyqësor, përfshirë kufizimin apo heqjen e imunitetit për gjyqtarët, gjë e cila - theksohet në raport - kërkon ndryshime në Kushtetutë”.

Raporti vëren gjithashtu se “nuk ka patur përparim të mëtejshëm lidhur me pavarësinë e gjyqësorit. Ka patur shqetësim mbi ndërhyrjet apo pengesat ndaj një hetimi të pavarur ndaj akteve të mundshme kriminale që pasuan ngjarjet e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 demonstrues. Procesi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese mbeten një cështje shqetësuese lidhur me zgjatjen e këtij procesit dhe vecanërisht lidhur me rrezikun e politizimit. Paanësia dhe pavarësia e këtyre institucioneve nuk janë ende plotësisht të garantuara”, vlerëson Brukseli.

Lidhur me korrupsionin, ndërsa vlerësohet marrja e disa masave dhe politikave antikorrupsion zbatimi i tyre shihet i pamjaftueshëm. Imuniteti konsiderohet si një pengesë, dhe propozohet “amendimi i dispozitave kushtetuese që e garantojnë imunitetin si për gjyqtarët ashtu dhe anëtarët e parlamentit”. “Një përparim i vogël është bërë", sipas raportit "në arritjen e rezultateve të qëndrueshme në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet. Hetimet në nivelet e mesme dhe të larta janë të ralla”. Korrupsioni vlerësohet se “është i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem vecanërisht serioz”. Megjithatë në ndryshim nga raporti i një viti më parë nuk përmendet më ajo që cilësohej si fenomen i pandëshkueshmërisë.

XS
SM
MD
LG