Lidhje

Vendi i Presidentit George W. Bush në histori

  • Jim Malone

Përurimi i Bibliotekës dhe Muzeut Presidencial George W. Bush të enjten në Austin të Teksasit me siguri që do të ringjallë debatin lidhur me vendin e këtij presidenti në histori. Anketat e opinionit tregonin se zoti Bush nuk ishte aspak popullor kur u largua nga detyra në vitin 2009. Por sipas disa anketave të kohëve të fundit, miratimi i publikut për të është përmirësuar.

Ish presidenti George W. Bush gjithnjë ka këmbëngulur se atë nuk e kanë shqetësuar kurrë anketat e opinionit, madje ka thenë se historia do të jetë gjykatësi i fundit i presidencës së tij. Në ceremoninë e përurimit të bibliotekës së tij presidenciale, zoti Bush tha se shpreson që administrata e tij një ditë të mbahet mënd për punën e saj për përhapjen e lirisë në botë.

“Erërat politike fryjnë nga e majta dhe nga e djathta. Anketat e opinionit ulen dhe ngrihen. Përkrahësit vijnë dhe shkojnë, por në fund të fundit, udhëheqësit përkufizohen nga bindjet e tyre”.

Historianët thonë se presidentët mund ta kenë të vështirë t’i shpëtojnë gjykimit të historisë apo të përpiqen ta ndryshojnë atë sapo largohen nga Shtëpia e Bardhë. Bruce Buchanan është profesor i shkencave politike në Universitetin e Teksasit dhe ekspert i presidencave. Ai thotë se ish presidenti Bush përballet me vështirësi të mëdha në përpjekjet për të ndryshuar perceptimin rreth administratës së tij me kalimin e viteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftën në Irak.

“Nëse Iraku bëhet lulja e demokracisë, që do të lulëzojë pas 20, 30 apo 40 vjetësh dhe përhapet në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme, ka shumë të ngjarë që vendimi tepër kontradiktor i presidentit Bush për të ndërhyrë në Irak pa provokim të harrohet. Për momentin është vështirë që kjo të parashikohet me me siguri dhe me bindje të plotë”.

Kur zoti Bush u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2009, mbështetja e publikut për të ishte 33 për qind. Por anketa më e fundit e opinionit e zhvilluar nga gazeta Washington Post dhe rrjeti televiziv ABC tregon se kjo mbështetje është rritur në 47 për qind, duke u dhënë përkrahësve të tij një farë shprese se imazhi i tij do të përmirësohet me kalimin e kohës.

Edhe ish presidentët Harry Truman dhe Richard Nixon u larguan nga Shtëpia e Bardhë nën një mjegull politike. Zoti Truman nuk ishte popullor për shkak të luftës në Kore, ndërkohë që zoti Nixon u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të skandalit Watergate.

Me kalimin e viteve, miratimi i publikut për zotin Truman u përmirësua, por kjo nuk ndodhi në rastin e ish presidentit Nixon. Historianët thonë se George W. Bushi shpreson që popullariteti i tij pas presidencës të pasojë modelin Truman.

Historiani Richard Norton Smith thotë se shpesh ish presidentët bëhen më popullorë me kalimin e viteve, veçanërisht në epokën e informacionit modern. Zoti Smith thotë se kjo nuk ishte e vërtetë për shumë presidentë amerikanë në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara.

“Aleksandër Hamiltoni në Letrat Federaliste shkruante mbi shqetësimin e tij se ish presidentët do të bëheshin si fantazma, që sillen rrotull dhe bezdisin pasardhësit e tyre, duke mos pasur asgjë tjetër për të bërë. Fakti është se në rreth 100 vjetët e parë pas krijimit të republikës, kjo ishte deri diku e vërtetë”.

Në historinë moderne, ish presidentë si Herbert Hoover, Jimmy Carter dhe Bill Clinton ia kanë kushtuar jetën shërbimit publik. Zoti Hoover, për shembull, kryesoi përpjekjet për të luftuar urine në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Bruce Buchanan thotë se disa prej presidentëve më pak të sukseshëm në detyrë kanë qenë në gjendje të përmirësojnë reputacionin e tyre me punën që kanë bërë pasi janë larguar nga Shtëpia e Bardhë.

“Shumica e librave, që vazhdojnë të shkruhen rreth ish presidentit Carter nuk janë aspak positivë lidhur me presidencën e tij, por ai po shikohet gjithnjë e më shumë si ish presidenti më i mirë në historinë amerikane dhe kjo për arsye të punës së tij të madhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë”.

Presidenti Barack Obama mori pjesë të enjten në përurimin e Bibliotekës Bush në Teksas dhe ka mundësi që t’i kenë kaluar në mëndje ide rreth së ardhmes së tij si ish president. Në bazë të kushtetutës amerikane, zoti Obama nuk lejohet të kandidojë për një mandat të tretë e prandaj do t’i bashkohet ‘klubit të ish presidentëve’ kur të përfundojë mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2017.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG