Lidhje

Bushati-Poposki për Marrëveshjen e Ohrit


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë vizitë në Tiranë. Bushati: “Shkupi të përparojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes. Poposki: Maqedonia i plotëson të gjitha standardet për trajtimin e komuniteteve etnike

Cështja e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni vazhdon të jetë një temë delikate në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Shkupit, e kjo u pa dhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes ministrave të jashtëm të të dy vendeve sot në kryeqytetin shqiptar

Ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ndërsa theksoi se Shqipëria është e interesuar për stabilitetin e Maqedonisë, nënvizoi se inkurajonte shtetin fqinj “për të ecur përpara drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, çka do të garantonte një bashkë ekzistencë më harmonike ndërmjet etnive në Maqedoni dhe do t’i shërbente më tej stabilitetit rajonal dhe perspektivës së rajonit”, sikundër nënvizohet dhe në dokumente te institucioneve ndërkombëtare.

Por sipas ministrit Nikola Poposki “Maqedonia i plotëson të gjitha standardet për trajtimin e komuniteteve etnike. Eshtë një çështje që nuk ka të bëjë vetëm me një moment, por duhet parë në vazhdimësi. Në Republikën e Maqedonisë, standardet për respektimin e të gjitha komuniteteve janë në një nivel shumë të lartë”, theksoi ai duke shtuar se kjo nuk do te thotë “se këto përpjekje nuk duhet të vazhdojnë më tej”.

Të dy ministrat thanë se kishin diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomike, ndërsa kanë trajtuar edhe problemet që lidhen me administrimin e burimeve të përbashkëta ujore. Një projekt energjitik i palës maqedonase që prek lumin Radika, i cili është furnizues i Drinit të zi në Shqipëri, shkaktoi shumë polemika vitin e kaluar. Ministri Poposki tha se po pritet studimi i ndikimit në mjedis i cili nësë do të jetë negativ do të conte në anullimin e projektit.

Të dy ministrat dhanë vlerësime të matura lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të djeshme në Greqi, vend me të cilin të dy shtetet kanë cështje të hapura, vecanërisht Shkupi, i cili ka problemin e emrit të vetë Maqedonisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG